Ndërhyrjet në burgun e Spaçit, 35 organizata dhe aktivistë peticion Ministrisë së Ekonomisë: Të ndërpriten menjëherë punimet!

35 organizata dhe aktivistë i janë drejtuar më një peticion Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që të ndalen punimet në burgun e Spaçit.

Përfaqësues të këtyre organizatave thanë se janë kundër ndërhyrjeve në burgun e Spaçit pasi sipas tyre po tjetërsohet historia.

Në total janë 35 organizata dhe mbi 700 qytetarë që firmosën këtë peticion ku kërkojnë që të ndalen menjëherë punimet, të cilat po bëhen në funksion të një filmi që do të xhirohet aty, që u konfirmua edhe nga ministri Blendi Gonxhja.

Megjithatë pavarësisht thirrjeve të shumta që janë bërë gjatë ditëve të fundit nga ish-të përndjekurit politikë, aktivistë dhe qytetarë, punimet ne burgun e Spaçit kanë vijuar normalisht.

Por Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja në reagimin e tij pak ditë më parë e konsidetoi gjithçka një tymnaje të panevojshme.

“Sot, ne jemi përpara Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të dorëzuar një peticion, përmes të cilit kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të çfarëdolloj punimi në burgun e Spaçit. Ky peticion, i hartuar në një gjendje të jashtëzakonshme gjendje në të cilën na vuri ndërhyrja e papritur, e pakoordinuar dhe amatoreske e Institutit Kombëtar për Mbrojtjen e Kulturës bëri që 35 organizata dhe 734 qytetarë ta firmosnin për vetëm 6 ditë. Qëllimi i tij është ndalimi i vazhdimit të punimeve dhe, për rrjedhojë, parandalimi i tjetërsimit të historisë.

Fillimisht, jemi këtu për të kundërshtuar këtë ndërhyrje sepse ajo bie ndesh me planin e menaxhimit që vetë kjo qeveri ka miratuar. Në këtë plan thuhet qartë se nuk do të ketë ndërhyrje që tjetërsojnë kujtesën, vlerat historike apo strukturën e burgut kamp të Spaçit. Gjithashtu, kjo ndërhyrje bie ndesh me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, si dhe me VKM-në shoqëruese nr. 1099: “Për kriteret dhe mënyrat e ndërhyrjes në pasuritë kulturore”, e cila përcakton qartë direktivat për ndërhyrjet restauruese – të cilat nuk kanë asnjë lidhje me ndërhyrjen që po kryhet aktualisht në këtë zonë.

Përmes kësaj komunikate duam t’i themi edhe Inspektoratit, ose inspektorit përgjegjës pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, se do të procedohen penalisht për shpërdorim detyre nëse nuk merren masa për ndalimin zyrtar të punimeve dhe ndërprerjen e menjëhershme të këtij projekti. Në vend që të vepronin sipas ligjit siç e kanë për detyrë, si Ministria ashtu edhe Instituti zgjodhën të merren me aktivistët, ish-të burgosurit apo qytetarë të angazhuar në këtë kauzë. Por edhe kjo nuk zgjati shumë, sepse vetë ministri duket sikur filloi të tërhiqej dhe të pranonte se aty kishte ndodhur një gabim

Por dikush duhet t’ia kujtojë ministrit se në këto raste “gabimi” duhet të shoqërohet me mbajtje përgjegjësie përgjegjësie instuticionale që fillon me inspektorin që se ka bërë punën për të cilën paguhet nga taksapaguesit e deri te ministri që përveç ekonomisë i ka rënë fati i keq të merret dhe me kulturën. Ne jemi këtu, më të bindur, më të vendosur dhe më të zëshëm se ditën kur e nisëm këtë betejë.  Spaçi është pasqyra në të cilën ne shohim të shkuarën, por edhe horizonti drejt të cilit mund të ndërtojmë të ardhmen’, thuhet në deklaratë.