Ndahet nga jeta regjisori dhe skenaristi i njohur, Leka Bungo

Regjisori, aktori dhe skenaristi i njohur Leka Bungo është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare.

Lajmin për ndarjen nga jeta të regjisorit e bëri të ditur vajza e tij, Alba Bungo, e cila i dha lamtumirën të atit në një postim në rrjetet sociale. Ajo bëri të ditur se Bungo vuante nga një sëmundje e rëndë, e cila i mori jetën.

Luftove me semundjen me te rende te shekullit dhe humbe! U prehsh ne paqe dhe faleminderit qe ishe babai im.

“Sot me duhet te bej gjene me te rende te jetes time. Te te them ty mirupafshim perjetesisht. E kujt? Atij qe desha me shume ne dynja, atij qe me mesoi cdo gje, atij qe me falte cdo gje, atij qe i besoja cdo gje. I shtrenjti im qe jetove aq bukur me aq dinjitet, kot nuk te therrisja mbret. Luftove me semundjen me te rende te shekullit dhe humbe! U prehsh ne paqe dhe faleminderit qe ishe babai im.

Krenare gjithmone pafundesisht per ty, mirenjohese perulesisht per cdo gje qe me mesove dhe dhurove. Ishe dhe do jesh dashuria me e madhe ne dynja. Njerezit e medhenj jetojne ashtu sic jetove ti! E deshe dhe e respektove jeten ashtu sic vetem ti dije. Lamtumire deri sa te takohemi sic vetem ne te dy dinim. Ah sa te dua i vogli im! U prehsh ne paqe bashke me engjejt , engjelli im!”, shprehet vajza e tij në një postim në rrjetet sociale.

Jeta dhe karriera e Luka Bungos:

Leka Bungo lindi më 28 shkurt 1944 në Vlorë dhe është një nga emrat më të njohur të artit dhe kulturës shqiptare. I diplomuar në shkollën e lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu” dhe më pas ndjekës i një kursi njëvjeçar për regji në Institutin e Lartë të Arteve, Bungo ka dhënë një kontribut të gjerë në teatër, film dhe televizion.

Karrierën e tij artistike e nisi si regjisor në Teatrin “Bylis” të Fierit dhe më pas në Estradën e Shtetit, ku spikati me shfaqje që trajtonin tematika sociale me nota satire. Pas viteve ’90, ai krijoi teatrin privat “Rubairat”, një iniciativë kulturore që megjithëse me jetë të shkurtër, mbetet një përpjekje e veçantë në historinë e teatrit shqiptar.

Në vitin 2002 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vazhdoi të ishte aktiv në fushën e artit. Ai ka shkruar drama dhe skenarë filmash si “Pabesia” dhe “Pas fasadës”, ndërsa është njohur edhe për rolin e Bardhylës në filmin “Një djalë edhe një vajzë” (1990).

Në vitin 1998 themeloi televizionin privat Combi, ndërsa në 2001 u bë anëtar i bordit drejtues të RTSH-së. Në vitin 2016 realizoi serialin “Rrokulisja”, i frymëzuar nga ngjarjet e vitit 1997. Nga viti 2021 deri në shkurt të 2025-ës, Bungo mbajti postin e kryetarit të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.