Ndahet nga jeta Dervishi i Teqesë së Alipostivanit

Ndahet nga jeta Dervishi i Teqesë së Baba Aliut në Alipostivan, Baba Hekuran Nikollari. Ai ka ndërruar jetë sot në Përmet në moshën 60 vjeçare. Vdekja e tij ka qenë për shkaqe natyrale.

Ndërkohë trupi i pajetë i klerikut bektashi do të transportohet drejt spitalit rajonal të Gjirokastrës për t’ju nënshtruar edhe një ekspertize mjeko-ligjore. Drejt Përmetit janë nisur edhe përfaqësues të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, për të mbikëqyrur nga afër të gjithë procesin.

Me vite të tëra në shërbim të fesë, Baba Hekurani gëzonte respektin e të gjithë banorëve të Përmetit dhe më gjerë.

Me përkushtim të jashtëzakonshëm, ai shërbeu për vite të tëra në Teqenë e Baba Aliut në Alipostivan, duke e bërë atë një strehë të dashur dhe të bekuar për mijëra besimtarë, shërbeu dhe ndërtoi Teqenë e Frashërit, Teqenë e Përmetit dhe shumë teqe të tjera në jug të Shqipërisë, duke lënë një trashëgimi të vyer dhe të paharruar.