Ndahet nga jeta Artan Lame

INjë lajm i trishtë ka ardhur ditën e sotme nga Gjermania, ku mësohet se ka ndërruar jetë në moshën 58 vjeçare Artan Lame, ish-kreu i Kadastrës Shqiptare.

Ai iu nënshtrua një ndërhyrje në zemër ditën e djeshme në Mynih, por nuk arriti ta përballojë me sukses, duke mbyllur sytë përgjithmonë, e duke lënë pas bashkëshorten Mirelën, vajzën dhe djalin e tyre.

Artan Lame ishte publicist, opinionist dhe koleksionist, si dhe studiues i historisë shqiptare, të cilin e kemi dëgjuar të flasë shpesh për historinë e vendit tonë në emisionet televizive. Lame  ka qenë gjithashtu edhe një zë i fortë për  mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Por, Artan Lame ka mbajtur për disa vite edhe poste të rëndësishme publike, pasi ka qenë Drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës nga viti 1999-2000. Më pas si nënkryetar i Bashkisë së Tiranës për 2 vite, për të kaluar në postin e  Zëvendësministrit të Territorit dhe Turizmit.

Më i njohur për qytetarët ka qenë kur drejtoi për vite me radhë ALUIZNI-t (Agjensia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale), ndërsa më pas edhe Kadastrën Shqiptare.