‘Mundësia’ në Tiranë / Shehaj: Nuk jemi këtu për vete, jemi këtu sepse Shqipëria s’ka zgjidhje tjetër

Në takim fushate në Tiranë, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, theksoi se angazhimi i tij dhe i kandidatëve të kësaj force politike vjen sepse vendi ka realisht nevojë për ta. Sipas Shehajt, shqiptarët e ndershëm që ia kanë dalë me punë, janë të vetmit që mund ta nxjerrin vendin nga ky sistem i korruptuar.

“Një zonjë sot më ndaloi dhe më tha: ‘Agron, i ke të gjitha, një familje shumë të mirë, biznesin, paratë, c’të duhet ty politika?’

Kjo pyetje nuk vlen vetëm për mua, por edhe për kandidatët tanë. Në fakt, ne nuk na duhet politika, jemi ne që i duhemi politikës, jemi ne që i duhemi Shqipërisë. Pritëm 34 vite që dikush ta bënte në vendin tonë dhe pamë që askush nuk e bëri. Kuptuam që vetëm ne mund ta bëjmë, nuk ka asnjë zgjidhje tjetër. Prandaj krijuam Partinë Mundësia dhe vendosëm të merremi me politikë.” – u shpreh Agron Shehaj.

Sipas kreut të Mundësia, nuk ka objektiv më të madh në jetë se të bësh diçka për vendin tënd.

“Unë nuk besoj se ka objektiv më të madh në jetë se sa të bësh diçka për vendin tënd, sidomos kur ke treguar në jetë që di të bësh diçka. Sepse nuk ka zgjidhje tjetër, sepse ne nuk do e bëjmë vetëm për vendin tonë, por për të gjithw shqiptarët.

E bëjmë për ata që janë andej dhe shohin nga Shqipëria, do donin të ktheheshin në Shqipëri dhe t’ia dilnin në vendin e tyre” – u shpreh Agron Shehaj.

Në vijim të fjalës së tij, Shehaj u ndal te rëndësia e zgjedhjeve të së dielës, duke paralajmëruar se pavarësisht se do thonë se ndryshimi është i pamundur, Mundësia nuk do të dorëzohet kurrë sepsë përbëhet nga njerëz që ia kanë dalë pavarësisht vëshitrësive.

“Kemi folur për projektin tonë, për vizionin tonë, sepse jemi të vetëdijshëm se ndryshimi do të fillojë zgjedhjet e ardhshme, por do të kërkojë kohë.

Të dielën janë zgjedhjet dhe tani duhet të flasim për ditën e zgjedhjeve. Këtë javë do ta përdorin për të na bindur që ndryshimi është i pamundur. Ata më objektivët thonë që ndryshimi është i vështirë, por jam i bindur që si unë edhe ju, nuk keni bërë ndonjëherë ndonjë gjë të lehtë në jetën tuaj. Ne jemi përballur me vështirësitë që ditët e para të jetës tonë. Jemi mësuar duke bërë gjëra të vështira, dhe ia kemi dalë për një arsye, sepse ne nuk dimë të dorëzohemi. Ne nuk dorëzohemi kurrë dhe s’do dorëzohemi edhe tani.”

Shehaj përfundoi fjalën e tij me një kritikë ndaj sistemit aktual dhe varësisë që ai ka krijuar ndaj pushtetit politik.

“Vë re dhe sulmet që na bëjnë. Këta shikojnë sot për nesër, se kështu janë mësuar. Nuk e imagjinojnë të mendosh Shqipërinë e ardhshme. Nuk e imagjinojnë dot një Shqipëri ku qytetarët nuk duhet të varen nga qytetarët. Sot janë mësuar që qytetari pa i shtrirë dorën ministrit, nuk bën dot asgjë në jetë.”