Moti i keq “mbërthen” Italinë, evakuime masive në disa zona

Italia qendrore dhe veriore është përfshirë nga moti i keq me reshje të dendura shiu dhe erëra të forta, duke shkaktuar dëme të mëdha infrastrukturore dhe evakuime masive në disa rajone. Ndër zonat më të prekura janë Toscana, Lombardia, Liguria dhe Friuli Venezia Giulia.

Në ishullin Elba, në Toskanë, mbi 200 persona kanë mbetur të izoluar për shkak të një rrëshqitjeje dheu që ka bllokuar rrugët kryesore. Sipas autoriteteve lokale, brenda 24 orëve të fundit kanë rënë rreth 50 mm shi, duke përkeqësuar situatën pas stuhisë së një dite më parë.

Ndërkohë, linja hekurudhore Milano–Lecco është pezulluar përkohësisht pas një incidenti të rrezikshëm në afërsi të stacionit Bulciago, ku një tren është ndaluar vetëm pak metra larg një grope të madhe të shkaktuar nga rrëshqitjet e tokës. Zjarrfikësit ndërhynë menjëherë, duke shmangur një tragjedi të mundshme.

Situatë e rënduar është raportuar edhe në provincat e Bergamos, Comos dhe Varese-s, ku rrugët janë përmbytur dhe pemë të rrëzuara kanë shkaktuar ndërprerje të qarkullimit. Zjarrfikësit kanë kryer mbi 280 ndërhyrje në 24 orët e fundit në rajonet e Lacios, Ligurias, Toskanës dhe Lombardisë.

Në Venecia, autoritetet kanë aktivizuar sistemin elektromekanik MOSE, i ndërtuar për të mbrojtur qytetin dhe sheshin historik “San Marco” nga përmbytjet e mëdha. Deri më tani, sistemi ka funksionuar siç duhet, duke parandaluar dëme të konsiderueshme në zonën historike.

Një tjetër situatë emergjente është regjistruar në Friuli Venezia Giulia, ku një kamping në zonën Riviera, me rreth 2,300 pushues, është evakuuar për arsye sigurie dhe banorët janë zhvendosur në ambiente të tjera të sigurta në qytet.

Pavarësisht dëmeve të shumta materiale, deri më tani nuk janë raportuar viktima apo të lënduar, ndërsa operacionet e shpëtimit dhe normalizimit të situatës po vazhdojnë pa ndërprerje. Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar dhe ndjekje të udhëzimeve zyrtare.