“Mosbindja civile” e PD, Flamur Noka mbledh në seli drejtuesit politikë pas protestës së djeshme

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka do të zhvillojë sot një takim me drejtuesit politikë, fill një ditë pas protestës së djeshme, e cila u shoqërua me tension dhe dhunë.

Burime për mediat bëjnë me dije se në fokus të këtij takim do të jetë fillimisht një analizë e tubimit të djeshëm, si dhe do të diskutohet për planet e ardhshme sa i takon aksionit opozitar dhe mosbindjes civile.

Opozita protestoi dje për rreth 3 orë, me demokratët qe u mblodhën fillimisht përballë Kryeministrisë, ndërsa vijuan me marshimin drejt Partisë Socialiste, ku hodhën molotov.

Pas selisë së PS-së, ata u nisën drejt Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë së Tiranës, ku nuk munguan molotovi dhe gazi lotsjellës i policisë për të shpërndarë turmën. Për shkak të hedhjes së molotovët nga protestuesit, u rrezikua jo pak herë jeta e policëve dhe gazetarëve.

Ndërkohë sot Policia e Tiranës njoftoi se ka proceduar penalisht në gjendje të lirë Flamur Nokën dhe Gazment Bardhin, pas protestës së djeshme.

Gjithashtu, edhe Ervin Minarolli, sekretar organizativ i Partisë Demokratike, është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.