MOSBINDJA CIVILE/ A do ta lejojë “arresti i shtëpisë” Sali Berishën të udhëheqë protestat e paralajmëruara? Kush pritet ta zëvendësojë

Ish-kryeministri Sali Berisha, i ndodhur nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ka paralajmëruar protesta të fuqishme në vitin 2024, të cilat i ka cilësuar si “mosbindje civile”.

Në konferencat për shtyp përpara se GJKKO të pranonte masën e sigurisë për të, Berisha ka deklaruar se pavarësisht se ku do të ndodhej, ai do të ishte njeriu që do të udhëhiqte opozitën dhe këto protesta, që sipas tij do të sjellin rrëzimin nga pushteti të Edi Ramës.

Por sa mundësi ka Sali Berisha të udhëheqë protestat?

“Arresti në shtëpi” do ta vështirësojë shumë punën e ish-kryeministrit për të masivizuar numrin e qytetarëve që do të mblidhen për të protestuar, pasi përveçse është i detyruar të qëndrojë vetëm në shtëpi, ai nuk lejohet edhe të komunikojë me asnjë tjetër përveç familjarëve me të cilët banon.

Për të rrëzuar një njeri që ka mbi 10 vite në pushtet si Edi Rama nuk mjafton të mbledhësh vetëm simpatizantët demokratë, por Berishës i duhet të bindë të gjithë qytetarët që t’i bashkohen. Tashmë që nuk ka as mundësinë për të bërë deklarata publike, çështja bëhet më e vështirë, ndaj ai mund të vendosë dikë që të jetë zëri i tij në këto protesta.

Ditën e djeshme shumë qytetarët u mblodhën poshtë shtëpisë së tij për ta përshëndetur, teksa vendin e tij për të falënderuar qytetarët e mori e bija, Argita Malltezi. Kohët e fundit ajo ka marrë më shumë fuqi politike, pasi është angazhuar si asnjëherë më parë në punët e Partisë Demokratike.

Pasi doli në media për të folur mbi privatizimin e kompleksit Partizani, Argita Malltezi u shfaq edhe në Kuvendin e Partisë Demokratike, ku mbajti edhe një fjalim, duke i kërkuar qytetarëve që të ngrihen për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Si e bija e ish-kryeministrit, Argita Malltezi mund të jetë zëri dhe figura e ish-kryeministrit në protestat e ardhshme të opozitës, të cilat duket se do t’i bashkojnë të gjitha partitë opozitare, përveç grupit të udhëhequr nga Lulzim Basha.