Kryeministri dhe njëherësh kryesocialisti Edi Rama duke iu përgjigjur ndjekësve në rubrikën “Sy m’Sy”, u shpreh se të gjithë ata që nuk votojnë PS në 11 maj nuk duhet të shkojnë në kutitë e votimit, sepse siç pohoi ai një votë për “Kënetën” është votë e çuar dëm.
“Edhe ty të bëj thirrje që të mos votosh, meqë e ke mendjen në kënetë dhe meqë nuk ke asnjë lloj tundimi se mbase voton për mua dhe për PS dhe voton bashkë me shumicën për Shqipërinë në BE, mos voto fare. Të paktën mos shko të hidhesh në kënetë, sepse është diçka që nuk është higjienike nga pikëpamje politike, qytetare dhe kombëtare. Këtë thirrje të bëj unë. Pastaj këto të tjerat ja lëmë kohësh”, theksoi Rama.
Një ndjekës, i cili i kërkoi që të largohet me nder dhe t’i lërë vendin të rinjve, Rama iu përgjigj se këtë e vendos popullit përmes votës.
“Këtë e vendos populli që nuk ka mendjen tënde. Është një gjykatës shumë i madh, suprem sovran. Dakord.”. theksoi ai.