Monika Kryemadhi kërkesë prokurorëve të SPAK-ut: Votoni Ilir Metën!

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi u ka kërkuar prokurorëve të SPAK votën për Ilir Metën.

Teksa u paraqit sot në SPAK për të zbatuar masën “detyrim paraqitje”, ajo ka pasur një kërkesë për prokurorët, që më 11 Maj të votojnë Ilir Metën, edhe pse ky i fundit ndodhet në burg me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.

Edhe pse të divorcuar, Kryemadhi po bën fushatë për kreun e Partisë së Lirisë, i cili ndodhet në burg që prej tetorit të 2024-ës.

“Bëmë muhabet me gjithë personelin, stafin, ishte interesante. U kërkova votën për koalicionin opozitar, agjentëve të BKH, prokurorëve, protokoll, shërbim, gardë, oficer, çdo njeriu që më dilte përpara.

Sigurisht që kërkoj votën për babain e fëmijëve të mi dhe do të vazhdoj ta bëj deri më 11 Maj. Vetë ata atje brenda e kuptojnë se mënyra e përdorimit të sistemit të drejtësisë nga Edi Rama i vendos në një pozitë të vështirë.

Besoj shumë që edhe vetë të nënshtruar e sistemit do ta votojnë më 11 Maj përmbysjen”- u shpreh Kryemadhi në një komunikim për gazetarët jashtë dyerve të SPAK.