“Mjekësia bojkoton”, studentët nisin sërish protestën dhe ftojnë qytetarët: Bashkohuni me ne!

Edhe ditën e sotme studentët e Mjekësisë kanë vijuar me bojkotimin e mësimit ndërsa janë ngritur sërish në protestë kundër ligjit që i detyron të qëndrojnë 5 vite në Shqipëri, pas diplomimit.

Të rinjtë e fakultetit  kanë nisur sërish marshimin nga Universiteti i Mjekësisë, drejt Ministrisë së Arsimit.

Kjo është java e tretë që bojkotohet mësimi, ndërsa studentët u kanë kërkuar studentëve të tjerë dhe qytetarëve t’ju bashkohen.

Me pankarta në duar studentet kanë vazhduar marshimin drejt Ministrisë së Arsimit.

“Kushte s’kemi, por kemi Kushtetutë””, “Mjekësia bojkoton”, “Duart e prangosura s’mund të kurojnë!”, thuhen në disa prej pankartave më pikantë të studentëve.

Kujtojmë se studentët e mjekësisë nuk kanë marrë pjesë në mësim, duke bojkotuar këtë të fundit që nga nisja e vitit të ri akademik. Ata kanë kërkuar ballafaqim të drejtpërdrejtë me ministren e Arsimit dhe me zyrtarë të qeverisë për të kundërshtuar ligjin që sipas tyre është “i padrejtë”.