Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka folur sërish për çështjen Beleri dhe marrëdhëniet me Shqipërinë.
Në një intervistë të dhënë për mediat greke, Mitsotakis ka deklaruar se kjo çështje ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.
“Ne kemi shprehur rezervat tona të forta për faktin se ai nuk u lejua të betohet gjatë kohës që ishte në paraburgim”- tha Mitsotakis, duke konfirmuar në thelb ngërçin që ka lindur mes Athinës dhe Tiranës pas vendimit të shkallës së parë për dënimin e Belerit javën e kaluar nga gjyqësori shqiptar.
Komentet e tij, shkruan Ekathimerini i bënë jehonë kushteve të vendosura nga Greqia në mënyrë që negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me BE të vazhdojnë pa probleme.
“Mënyra se si Shqipëria e ka trajtuar këtë çështje ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet me Greqinë dhe kjo nuk është diçka që ne duam”, shtoi Mitsotakis, duke nënvizuar se ai ende shpreson se “kjo çështje do të zgjidhet”.
Media greke shkruan se tonet e kryeministrit në këtë rast ishin më të ulëta se herët e tjera. Rikujtojmë se Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi më 5 mars që të shpallë fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri dhe e dënoi atë me 2 vite burg.