Qytetarët shqiptarë që kanë dokumente identifikimi të skaduara do të mund të votojnë në zgjedhjet e 11 Majit. Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ku qeveria miratoi vendimin për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identitetit për shtetasit që kanë letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike, të cilat skadojnë deri më 11 maj 2025.
“Miratimi i akteve normative merret me qëllim garantimin e të drejtës kushtetuese së të gjithë shtetasve për të votuar pa pengesa, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Sipas këtij vendimi, afati i vlefshmërisë së mjeteve të identifikimit, letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike që përfundojnë në datën 11 maj 2025 – shtyhet deri në datën 31 maj 2025”, njofton Ministria e Brendshme.
Ministria e Brendshme thotë se në bashkëpunim me KQZ, institucionet e varësisë, si Shërbimi i Gjendjes Civile, apo agjencitë e tjera, kanë ndërmarrë të gjitha masat në përmbushje të detyrimeve ligjore, për të siguruar që procesi zgjedhor i 11 Majit të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa pengesa për qytetarët tanë jashtë dhe brenda kufijve.
Kujtojmë se janë 3,721,116 shqiptarë që kanë të drejtë për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, që mbahen ditën e diel. Për herë të parë në këto zgjedhje votojnë edhe emigrantët që jetojnë jashtë vendit.