Miratohen ndryshimet në qeveri, Kuvendi voton pro emërimit të ministrave të rinj

Mes tensioneve dhe zhurmës së deputetëve të opozitës, Kuvendi ka miratuar ndryshimet në qeveri.

Me 77 vota pro, Ervin Hoxha është emëruar Ministër i Brendshëm, duke zëvendësuar në këtë detyrë Taulant Ballën. Ky i fundit do të marrë drejtimin e Ministrisë së Shtetit për Parlamentin, në vend të Elisa Spiropalit.

Pirro Vëngu do të jetë ministri i ri i Mbrojtjes, teksa u shkarkua nga kjo detyrë Niko Peleshi, i cili do të marrë drejtimin e grupit parlamentar të PS-së.

Ministria e Financave tashmë do të drejtohet nga Petrit Malaj, pas shkarkimit të Ervin Metes. Ndërkohë, pritet votim i fshehtë për Kryetarin e ri të Kuvendit, që me shumë gjasë do të jetë Elisa Spiropali, propozimi i kryeministrit Edi Rama. Nënkryetar i Kuvendit u zgjodh Bledi Çuçi, i cili zëvendësoi Ermonela Felajn.