Ministri gjerman Wadephul pas takimit me Altin Dumanin: SPAK po bën përparime konkrete në hetimin dhe luftimin e korrupsionit

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri sot, si pjesë e një turi në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, me fokus procesin e integrimit evropian të rajonit.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, ai u takua me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, si dhe me kreun e SPAK-ut, Altin Dumani.

Wadephul tha se reformat duhet të vazhdojnë sidomos në drejtim të sundimit të ligjit, lirisë së mediave dhe luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Ai vuri në dukje se drejtësia e pavarur është themeli i një shoqërie demokratike dhe se SPAK përfaqëson një institucion të fuqishëm që po shënon përparime në hetimin e korrupsionit.

Postimi i ambasadës gjermane

Qëllimi është anëtarësimi në BE: Më 17.11., Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Johann Wadephul vizitoi Shqipërinë si pjesë e një udhëtimi në 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ai diskutoi rrugën drejt BE-së me Ministren e Jashtme Spiropali dhe kreun e SPAK-ut, Dumani.

Ballkani Perëndimor ka prioritet për Gjermaninë, dhe ne e mbështesim fuqimisht rrugën e saj drejt BE-së. Dinamika në Shqipëri është e jashtëzakonshme, kohët e fundit ndoshta asnjë vend tjetër në rajon nuk ka bërë përparime të tilla. 🇩🇪 vlerëson angazhimin e madh që shumë shqiptare dhe shqiptarë po bëjnë, si në politikë, administratë dhe shoqëri civile, për të realizuar reforma të vërteta.

Është e qartë që: nuk mund të ketë rrugë të shkurtra për këto reforma. Por nëse Shqipëria e ndjek vazhdimisht këtë rrugë dhe intensifikon përpjekjet e saj, mundësitë për të arritur sukses së shpejti janë të mëdha. Reformat të mëtejshme duhet të miratohen dhe të zbatohet në mënyrë të vazhdueshme, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së mediave, dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Një drejtësi e pavarur dhe efektive është thelbi i çdo shoqërie demokratike dhe të lirë. Me SPAK, ka një institucion të fortë që po bën përparime konkrete në hetimin dhe luftimin e korrupsionit. Shoqëria dhe ekonomia mund të lulëzojnë vetëm kur mundësitë shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe ka besim në institucionet e pavarura.