Minatorët sërish në protestë, Bardhi: Nesër do të dorëzojmë në Kuvend projektligjin për statusin e tyre

Minatorët po protestojnë sot jashtë Kuvendit ndërsa thonë që është e patolerueshme që një minator që ka punuar 30 vjet të marrë 150 mijë lekë të vjetra.

Prej vitesh ata kërkojnë të miratohet statusi i minatorit, për të cilin thonë se është në sirtaret e Kuvendit.

Nga ana tjetër kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka deklaruar sot se do të dorëzojë në Kuvend projektligjin për Statusin e Minatorit.

Bardhi tha për mediat se kjo vjen pasi një pjesë e kolegëve kanë patur mundësi të takojnë minatorët. Ai shtoi se kjo është firmosur nga një pjesë e tyre.

“Dua t’iu informoj se pasi një pjesë e kolegëve kanë patur mundësi ti takojnë minatorët dhe gjatë ditës së djeshme është firmosur projektligji për statusin e minatorit dhe ditën e neserme do të dorëzohet zyrtarisht në kuvendin e Shqipërisë. Pra kërkesa e protestuesve që kanë disa javë që vijnë para parlamentit janë dëgjuar nga Grupi Parlamentar i PD dhe çdo kërkesë e tyre është përkthyer në një projekt ligj që është firmosur nga një pjesë e kolegëve dhe nesër dorëzohet ne kuvend”– tha Bardhi.

Minatorët kërkojnë edhe përmirësimin e kushteve të punës. Nëse nuk marrin asnjë reagim, ata kanë paralajmëruar se do të kalojnë në grevë urie për të shprehur më tej pakënaqësinë e tyre.