Milan Radoiçiç ka pranuar se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator dhe se i ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite.
Ai e ka bërë këtë deklaratë përmes një letre të lexuar nga avokati i tij Goran Petronijevç.
Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë vdekur një zyrtar policor dhe tre terroristë.
“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atiji terror”, ka thënë ai në letër.
Avokati, duke e lexuar letrën e Radoiççit, ka thënë se për veprimet e tij ai nuk e ka njoftuar asnjë prej strukturave qeveritare serbe apo atyre politike lokale në veri të Kosovës, dhe as nuk e ka pranuar ndihmën e tyre.
Kjo është hera e parë që Radoiçiçi reagon publikisht, pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra një zyrtar policor.
Radoiçiç është akuzuar nga autoritetet e Kosovës se ka organizuar dhe ka qenë pjesë e sulmeve ndaj Policisë në Banjskë. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka publikuar një pamje me dron duke thënë se njëri prej burrave që shihet i veshur me uniformë me armë në dorë –ka qenë vetë Radoiçiç.