Miku i Artan Lames jep lajmin e trishtë, publicisti ndahet nga jeta: Do të na mungosh pafund

Edhe ajo pak shpresë që kishte ngelur për të rikthyer në jetë Artan Lamen, u shua ditën e sotme.

Florend Kalivopulli, miku i tij, ka njoftuar se publicisti u nda nga jeta sot, pasi nuk arriti të dilte nga gjendja e komas në spitalin e Mynihut në Gjermani.

“Lamtumirë miku im…

Sot, para pak minutash u nda nga jeta një mik i rrallë, një shpirt i madh. Një njeri që jetoi me mendje të hapur dhe zemër të bardhë.

Publicist i përkushtuar, historian i pasionuar, koleksionist i kujtesës sonë. Por mbi të gjitha, një njeri i ndershëm, një mik i pazëvendësueshëm dhe një familjar i dashur. Mirënjohje për gjithçka që ndave me ne Tan. Do të na mungosh pafund”, shkruan ai.

Lajmi për ndarjen nga jeta të Artan Lames doli paraditen e djeshme, por në mbrëmje moderatori Blendi Fevziu njoftoi se Artan Lame ishte ende në jetë, por në gjendje kome. Fatkeqësisht, sot zemra e tij ndaloi.

Artan Lame ishte publicist, opinionist dhe koleksionist, si dhe studiues i historisë shqiptare, të cilin e kemi dëgjuar të flasë shpesh për historinë e vendit tonë në emisionet televizive. Lame  ka qenë gjithashtu edhe një zë i fortë për  mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Por, Artan Lame ka mbajtur për disa vite edhe poste të rëndësishme publike, pasi ka qenë Drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës nga viti 1999-2000. Më pas si nënkryetar i Bashkisë së Tiranës për 2 vite, për të kaluar në postin e  Zëvendësministrit të Territorit dhe Turizmit.

Më i njohur për qytetarët ka qenë kur drejtoi për vite me radhë ALUIZNI-t (Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale), ndërsa më pas edhe Kadastrën Shqiptare.