Në një Shqipëri ku mijëra familje jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë, ku të rinjtë largohen çdo ditë dhe ku pensionistët numërojnë qindarkat për të blerë ilaçet, Partia Demokratike ka zgjedhur një prioritet tjetër: një kontratë lobimi me vlerë 6 milionë dollarë me një kompani amerikane.
Kontrata, e firmosur më 15 prill 2025 dhe e bërë publike më 26 prill, është lidhur me kompaninë “Continental Strategy”, e drejtuar nga ish-këshilltari i Donald Trump, Carlos Trujillo. Dokumenti i depozituar në Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së parashikon pagesa mujore prej 250 mijë dollarësh për dy vite rresht, ku për tre muajt e parë PD do të paguajë paradhënie 750 mijë dollarë.
Synimi? Sipas dokumentit, “promovimi i strategjisë së Partisë Demokratike për luftën kundër krimit të organizuar”, dhe organizimi i takimeve me zyrtarë të administratës amerikane, Kongresit dhe agjencive të zbatimit të ligjit.
Ky zhvillim ka ardhur ndërkohë që PD vazhdimisht del me deklarata për krizën ekonomike, për mjerimin social, për braktisjen e fermerëve, për mungesën e mbështetjes për bizneset e vogla. Ka dalë në protesta me thirrje për “bukën e gojës” dhe për mbrojtjen e “shqiptarit të zakonshëm”.
Por 6 milionë dollarë për lobim? Në një vend ku shpesh justifikimi për mospërmbushjen e premtimeve është “mungesa e fondeve”, një shifër e tillë nuk është më vetëm kontradiktë, është ofendim për qytetarin shqiptar pasi këto para do të shkojnë për të “blerë vëmendje” në një tjetër kontinent.
Pra, kemi të bëjmë me një ndarje të qartë mes retorikës politike dhe prioriteteve reale. Duket qartë që “i varfëri shqiptar” është një kartë që luhet mirë në deklarata për mediat, por që lë në hije në çastin që vjen momenti për të vendosur se ku do të shkojnë miliona dollarët.
Dhe për shqiptarët që kanë pritur për vite me radhë që dikush t’i dëgjojë realisht, ky nuk është vetëm një zhgënjim tjetër. Është një sinjal i qartë se politika shqiptare, edhe kur flet për hallet e tyre, është shumë më e angazhuar për të zgjidhur hallet e veta me çmime që i paguan, sërish, ky popull.
Nëse PD është vërtet në krah të qytetarëve, atëherë nuk mund të shpenzojë 6 milionë dollarë në emër të tyre për një qëllim që nuk ka asnjë impakt të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shqiptarëve. Përndryshe, fjalët për “të varfrit” janë thjesht zhurmë, ndërsa prioriteti i vërtetë ndodhet shumë larg Shqipërisë, në zyrat me çmim të kripur të lobistëve amerikanë.
