Merret sërish në pyetje edukatorja pas arrestimit, vendimi për të pritet të jepet pas tre muajsh

Edukatorja Majlinda Dehima është arrestuar ditën e djeshme nga Policia, e cila e ka marrë sërish në pyetje për ngjarjen ku një 3 vjeçare theu këmbën në kopshtin “Stinët”. Edukatorja ka mbajtur të njëjtin qëndrim duke thënë se vajza e ka thyer vetë këmbën në hapësirën e krevatit dhe se ajo nuk e ka prekur,

Edukatorja akuzohet për veprën penale ‘Keqtrajtim psikologjik ose fizik i të miturit, dhe dënimi për këtë akuzë është nga tre muaj deri në dy vjet.

Vendimi për edukatoren sipas gazetarit Elton Qyno pritet të jepet pas tre muajsh, pasi kjo periudhë do të shërbejë për të ditur nëse dëmtimi për vogëlushen është i përkohshëm.

Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka përcjellë aktin e ekspertimit mjeko-ligjor, sipas të cilit është arritur në përfundimin se: Referuar kartelës klinike të S.U.T. Tiranë rezulton se në trupin e fëmijës Melisa Krasniqi u kostatua thyerje e kockës së kofshës së majtë  në 1/3 e mesme e saj, e trajtua pa ndërhyrje kirurgjikale, me imobilizim me gips (allci), pa dëmtime neuro-vaskulare.Dëmtimet e mësipërme nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën, në çastin e shkaktimit dhe si të tilla hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve që kanë sjellë paaftësi të përkohshme në masën mbi 9 (nëntë) ditë.Por për të parë nëse kemi elementë të gjymtimit të përhershëm të fëmijës M.K kërkojmë që të paraqitet në I.M.L Tiranë, për një vizitë mjeko-ligjore për një periudhë kohore 3 (tre) mujore nga data e dëmtimit.

 Burime bëjnë me dije se prokuroria e Tiranës pritet të bëj një tjetër ekspertim të pamjeve filmike dhe në vijim edhe ballafaqim të Dehimës me provat që do të dalin gjatë hetimeve.

Vlen të theksohet fakti se ajo u arrestuar ditën e djeshme, pas dorëzimit në Prokurori të akt-ekspertizës mjeko-ligjore, ndërkohë që ngjarja ka ndodhur që më 1 Nëntor.

Rasti i dhunës në kopshtin “Stinët” në zonën e “Ali Demit” në kryeqytet u zbulua në emision “Stop” dhe solli jo vetëm indinjatën e opinionit publik, por zbuloi një zinxhir paligjshmërie. Pas denoncimit, kopshti rezultoi i palicensuar, i cili u mbyll më pas me vendim të Ministrisë së Arsimit. Po ashtu, zyrtarë dhe punonjës të Komisariatit nr.1 në Policinë e Tiranës, pranuan se kanë neglizhuar hetimet për dhunën ndaj vajzës 3-vjeçares.