Zv.kryeministrja Belinda Balluku ka folur për herë të parë në foltoren e Kuvendit si e pandehur nga Prokuroria e Posaçme për aferën e tunelit të Llogarasë.
Me zërin që i dridhej dhe me një fjalim që dukej i përgatitur nga zyra e Ramës, ajo nuk i ka kursyer lavdet për kreun e qeverisë, teksa me fjalët e Ramës tha se nuk do ta kërcënojë asnjëherë drejtësinë e re.
“Duhet të them disa fjalë jo për të kompensuar gënjeshtrat, por për detyrimin ndaj qytetarëve dhe ata që besojnë tek puna dhe jo tek balta. Nuk do të dëgjoni kurrë sharje dhe kërcënime për drejtësinë e re dhe kur preken personalisht.
Pasi besoj që kjo drejtësi është duke kryer misionin për të cilën u reformua, me pakt be saj të dobëta dhe të forta, por si diçka e re konsolidohen dita ditës. Nuk do të më dëgjoni kurrë të flas për prokurorë apo për çështje nën hetim, të cilën do ta ndjek në diskrecion të plotë deri sa drejtësia të marrë formë të prerë”, tha Balluku.
Edhe pse e kishte marrë fjalën për të folur për buxhetin, Balluku vijoi të fliste për opozitën, duke tentuar të heqë vëmendjen nga vetja grabitjen e 50 milionë eurove në tunelin e Llogarasë.
“Ju të nderuar opozitarë që ndiqni nga kafja e parlamentit keni dy standarde ndaj reformës në drejtësi dhe SPAK. Kur SPAK thërret Saliun dhe lozni kukafshehti me zarfin, i cili është zarfi që pret 15 vite populli shqiptar për drejtësi, për një vrasje shtetërore në 21 janar, atëherë SPAK ndikohet nga Edi Rama. Kur SPAK thërret Sali Berishën dhe e mban me arrest shtëpie për ditë e muaj dhe më pas kur sot është i pandehur në GJKKO për korrupsion atëherë Edi Rama e ndikon SPAK, por kur sipas jush merret me mazhorancën, ju bëheni martirët e drejtësisë, britmat dhe klithma e saj”, tha zv.kryeministrja.