Më shumë mbrojtje nga BE, por ku janë paratë?

“Zonja mësuese” e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbledhur këtë javë në Kopenhagë “nxënësit e pabindur” të bllokut, për të kërkuar më shumë angazhim dhe përkushtim në rritjen e gatishmërisë dhe aftësisë për t’u përballur me kërcënime. Por pyetja e madhe mbetet: me çfarë mjetesh do ta bëjë këtë BE-ja? Duket se përgjigjja është e lidhur ngushtë me një element: para. Dhe shumë prej tyre.

Idetë për një “mur dronësh” që do të mbronte Evropën Lindore nga sulmet ajrore janë të bukura në teori, por jashtë mundësive teknike dhe financiare të BE-së. Vetë von der Leyen e di mirë se Evropa po kalon një krizë financiare. Franca po lufton për të ulur deficitin e saj të frikshëm, ndërsa Gjermania tashmë e pranon se shteti i saj social nuk është më ekonomikisht i qëndrueshëm.

Ndërkohë, BE-ja është zhytur në një përplasje të ashpër politike për buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar. Shtetet përfituese nuk duan të humbasin asnjë cent nga fondet aktuale, ndërsa ato kontribuese duan të kufizojnë shpenzimet e reja. Planet e Komisionit për të përfshirë subvencionet bujqësore dhe ndihmën rajonale brenda llogarive të përgjithshme kombëtare janë parë si një hap i parë drejt shkurtimit të këtyre programeve, duke nxitur rezistencë të fortë nga vendet përfituese. Në sfond qëndron nevoja gjithnjë e më urgjente për të filluar shlyerjen e borxhit të madh të marrë gjatë pandemisë, që përfaqëson më shumë se 15% të shpenzimeve vjetore të BE-së.

Për më tepër, BE-së i duhet të sigurojë edhe 9 miliardë euro të tjera për Ukrainën deri në fund të vitit, për të mbuluar funksionimin bazë të qeverisë në Kiev – një sfidë shtesë në një kohë kur çdo euro po numërohet.

Çfarë mund të ofrojë realisht BE-ja në fushën e mbrojtjes?

Bashkimi Evropian nuk komandon forca ushtarake, nuk blen pajisje dhe nuk ka një staf planifikimi ushtarak të mirëfilltë. NATO vazhdon të mbetet garantuesi real i sigurisë evropiane, me përvojë të gjatë në koordinimin e buxheteve kombëtare të mbrojtjes. Madje, edhe ndihma ushtarake për Ukrainën po realizohet kryesisht përmes NATO-s, duke i shtyrë vendet e BE-së të blejnë pajisje amerikane – një “truk i zgjuar” i realizuar nga Donald Trump.

Por çdo përpjekje për të kanalizuar fonde të reja të BE-së përmes NATO-s përballet me kundërshtime të ashpra nga Franca. NATO nuk mund të favorizojë furnizues evropianë, ndërsa SHBA-të dhe gjigantët si Raytheon mund të përfitojnë në dëm të kompanive si Thales-i francez. Nëse BE-ja do të mund të emetonte borxhe dhe të investonte drejtpërdrejt në mbrojtje, do të kishte një zë më të fuqishëm në vendimmarrjet e NATO-s.

Por pa Eurobono të rinj, burimi i vetëm i financimit mbetet borxhi prej 400 miliardë euro që Gjermania ka planifikuar për mbrojtjen gjatë pesë viteve të ardhshme. Fatkeqësisht për BE-në, Berlini nuk është më aq bujar sa dikur. Franca kërkon që Gjermania të financojë projektin ambicioz të avionit luftarak të gjeneratës së gjashtë, me kushtin që kompania franceze Dassault të realizojë 80% të punës. Gjermania, natyrisht, kërkon ndarje të barabartë për këtë program që pritet të jetë më i kushtueshmi në historinë e mbrojtjes evropiane.

Problemi më i madh: ekonomia e BE-së, dhe në veçanti e Gjermanisë

Von der Leyen po përpiqet të bindë vendet anëtare të rrisin shpenzimet për mbrojtje, por kjo kërkesë bie ndesh me realitetin ekonomik – veçanërisht me ngërçin që po përjeton ekonomia gjermane. Prej dekadash, BE-ja është mbështetur në fuqinë eksportuese të Gjermanisë, e cila ka financuar programet më të mëdha të Unionit. Por tani, eksportet po bien dhe me to edhe të ardhurat tatimore që ushqenin BE-në.

Industria e inxhinierisë, zemra e ekonomisë gjermane, është në krizë të thellë. Prodhimi i makinave ka rënë, por edhe më alarmante janë shifrat për sektorin e makinerive dhe pajisjeve industriale: një rënie prej 20% që nga viti 2018. Gjiganti industrial Bosch sapo njoftoi shkurtimin e 13 mijë vendeve të punës për të mbuluar një deficit prej 2.5 miliardë euro. Kjo industri është ende shumë e lidhur me motorin me djegie të brendshme, ndërsa kërkesa nga SHBA dhe Kina po pakësohet.

Ideologjia ekologjike, pengesë për rimëkëmbje?

Shtetet e BE-së, të udhëhequra nga objektivat ambiciozë për “zero emetime”, kanë vendosur kufizime të rrepta ndaj industrive tradicionale. Por realiteti është se industria “jeshile” është ende shumë e varur nga subvencionet shtetërore dhe nuk po arrin të kompensojë humbjet. Kërkesat për rrjet energjetik të ri dhe kapacitete rezervë me gaz po rriten, duke thelluar kostot.

Për të rifituar aftësinë për të financuar mbrojtjen dhe stabilitetin ekonomik, BE-ja duhet të përballet me “shkaqet rrënjësore” të krizës: të mbështesë industrinë tradicionale, të ulë kostot energjetike dhe të braktisë ndalimet ideologjike ndaj teknikave të nxjerrjes së burimeve energjetike që janë standarde në vende si SHBA. Mbyllja e fushës gjigante të gazit në Holandë është simboli i një Europe që po vetë-dëmton potencialin e saj industrial.

Evropa ka jetuar në mirëqenie për kaq gjatë, sa ka harruar se kjo mirëqenie varet nga kosto të favorshme për industrinë e saj vendase. Nëse BE-ja dëshiron të jetë një aktor i besueshëm në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, duhet së pari të rikthejë themelin e saj ekonomik. Ndoshta ka ardhur koha që “mësuesja” e Brukselit ta rikthejë Evropën në “kurrikulën tradicionale”.