Garancia Rinore është një skemë që ka rezultuar tepër e suksesshme në zvogëlimin e papunësisë tek të rinjtë, në vendet anëtare të BE. Tashmë do të bëhet realitet edhe në Shqipëri.
Ministria e Financave lançoi sot skemën e Garancisë Rinore, me objektivin për të mbështetur dhe mundësuar punësimin e rreth 18 mijë të rinjve, të grupmoshës 15-29 vjeç, të cilët janë regjistruar në zyrat e punësimit por ende nuk janë në punësim, duke ndjekur arsimin apo formimin profesional.
Zbatimi i kësaj skeme parashikon që të rinjtë e papunë, të regjistruar në zyrat e punësimit, duhet të marrin një ofertë punësimi, trajnimi apo mësimi profesioni, brenda një periudhe katër mujore.
“Një nga mekanizmat e rëndësishëm në rritjen e aftësive profesionale dhe që na siguron trajtimin e të rinjve NEET, pra që nuk punojnë dhe nuk ndjekin kurse kualifikimi është skema e Garancisë Rinore, si pjesë e iniciativës së Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.
Ne jemi të bindur se Garancia Rinore do të mbështesë të rinjtë, të cilët përballen me pengesa në gjetjen e vendeve të punës dhe fitimin e aftësive të rëndësishme për tregun e punës, duke çuar në mungesën e perspektivës për të ardhmen, e reflektuar në rritjen e kërkesës për emigracion,” – u shpreh zv.Ministrja Manjani.
Programi i Garancisë Rinore do të pilotohet fillimisht në tri bashki të vendit: Tiranë, Shkodër dhe Vlorë.
AKPA ka dizenjuar një portal të dedikuar për këtë skemë ndihmëse, i cili do të funksionojë si portë hyrëse dhe informative për të gjithë të rinjtë.
Në vitin 2021, Komisioni Evropian, në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Punës (ILO), Fondacionin Evropian të Trajnimit (ETF) dhe përfaqësues nga Ballkani Perëndimor hapën fazën e parë të procesit të formulimit, për planet e implementimit të Garancisë Rinore në Ballkanin Perëndimor.
Plani i ekonomisë dhe investimeve për Ballkanin Perëndimor, publikuar nga Komisioni Evropian në tetor 2020, propozon implementimin e skemave të Garancisë Rinore në rajon, në katër faza të shtrira përgjatë periudhës 2021-2027.