Me datë dhe orë, Berisha: Olsi Rama udhëtoi të paktën 5 herë me makinën e klanit të Xibrakës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një konferencë me gazetarët këtë të premte, ku mes të tjerash u ndal edhe te akuzat e opozitës që e lidhin vëllain e kryeministrit Edi Rama me laboratorin e Xibrakës.

Sipas Berishës, Olsi Rama është një nga kokat më të rrezikshme të Xibrakës. Berisha në konferencë zbuloi edhe disa data që sipas tij, tregojnë udhëtimet e Olsi Ramës me klanin e Xibrakës. Me datë dhe orë, sipas Berishës, vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama ka udhëtuar të paktën 5 herë me “makinën e famshme të drogës”, brenda pak muajve në vitin 2014.

“Tani unë do paraqes këtu datat dhe orët e 5 udhëtimeve, të cilat nuk janë 5, por janë shumë më tepër. Por unë kam zgjedhur këto për të paraqitur të Olsi Ramës me makinën e famshme të drogës dhe të klanit të drogës, me të cilën udhëtonte Gentian Gjonaj, Gentian Xhixhaj dhe Ermal Hoxha. E kishin si makinë të tyre. Por meqenëse Olsi Rama ka bërë mashtrimin publik se ka udhëtuar me këtë makinë vetëm njëherë, në një kohë kur ai ishte mish e thua me Ermal Hoxhën dhe Gentian Xhixhajn, unë po rikujtoj këtu datat në të cilat ai ka udhëtuar me këtë makinë.

1. Olsi Rama hyn nga jashtë me makinën AA653DM me datën 8.6.2014 në orën 14.13 minuta.

2. Olsi Rama udhëton me makinën me këtë targë me datën 13.7.2014, ora 18.06.

3. Olsi Rama me makinën AA653DM me datën 6 qershor 2014, ora 13.30.

4. Olsi Kristaq Rama, se përdor dy pasaporta ky trafikant, edhe pasaportën shqiptare, edhe atë amerikane se është shtetas amerikan, Olsi Rama me makinën AA653DM me datën 8.8.2014, ora 18.35.

5. Olsi Kristaq Rama ka udhëtuar me makinën me targë AA653DM në datën 11 korrik 2014 në ora 15.46.

Pra, personi që thotë kam udhëtuar njëherë me këtë makinë, unë kam të regjistruara këtu 5 herë, por ekzistojnë edhe data të tjera”, u shpreh Berisha.