Me Bibla, kriptovaluta dhe ora dore, Trump ka fituar miliona dollarë

Presidenti Donald Trump ka fituar miliona dollarë nga sipërmarrjet e familjes në fushën e kriptovalutave, klubet private të golfit dhe nga shitja e gjithçkaje, nga Biblat te orët e dorës, ndërsa ka shfrytëzuar famën politike për të zgjeruar perandorinë e tij të biznesit, sipas dokumenteve financiare të publikuara.

Një nga burimet më të mëdha të të ardhurave që Trump ka deklaruar ishte një shitje tokenësh me vlerë 57 milionë dollarë përmes WLF Holdco LLC, që zotëron World Liberty Financial Inc. WLF është një kompani kripto e familjes Trump dhe thekson se menaxhohet pjesërisht nga djemtë e presidentit.

Ndërkohë, Trump zotëron midis 1 milion dhe 5 milionë dollarë në kriptovalutën ethereum. Ai ka bërë fushatë duke u shpallur si presidenti më miqësor ndaj kriptovalutave, duke premtuar një qasje më të butë në rregullimin e aseteve digjitale krahasuar me administratat e mëparshme.

Dokumentet që përmbajnë mbi 230 faqe, përfaqësojnë deklaratat e para për pasuritë dhe detyrimet e miliarderit që kur u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar. Ato i japin publikut një pamje të parë të të ardhurave të fundit nga marrëveshje të nënshkruara gjatë kohës që kandidati republikan zhvillonte fushatë vitin e kaluar.

E pyetur për aktivitetet e shumta të biznesit të presidentit, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Trump ka qenë transparent.

“Presidenti Trump, nënpresidenti Vance dhe stafi i lartë i Shtëpisë së Bardhë kanë përfunduar trajnimet e kërkuara mbi etikën dhe detyrimet për raportim financiar. Administrata Trump është e përkushtuar ndaj transparencës dhe qasjes për popullin amerikan,” tha ajo në një deklaratë për CNN.

Ligji federal nuk kërkon që presidentët të heqin dorë nga zotërimet e tyre, ndonëse paraardhës të tij kanë ndërmarrë hapa për t’i menaxhuar përmes trusteve të verbëra ose për t’u distancuar nga to.

Pasuritë e Trump janë vendosur në një trust të menaxhuar nga fëmijët e tij, dhe Organizata Trump njoftoi më herët këtë vit se presidenti nuk do të marrë pjesë në menaxhimin e përditshëm të kompanisë. Megjithatë, ai ende zotëron dhe përfiton nga perandoria e gjerë e pasurive të paluajtshme dhe e markës së tij.

Dokumentet e së premtes tregojnë se një varg marrëveshjesh për licencim të emrit, imazhit dhe përngjasimit të presidentit për produkte që variojnë nga atletet te orët, kanë sjellë miliona në të ardhura për Trump.

Kjo përfshin mbi 1.3 milionë dollarë të fituara nga Bibla “God Bless the USA” e Lee Greenwood. Gjatë fushatës së vitit 2024, Trump publikoi një video ku u bënte thirrje mbështetësve të blinin Biblën për të “bërë Amerikën të lutet sërish.”

Trump gjithashtu fitoi 2.5 milionë dollarë nga shitja e atleteve dhe parfumeve “Trump”, si dhe 2.8 milionë dollarë nga shitja e “Trump Watches. Për më tepër, Trump fitoi mbi 1 milion dollarë nga shitja e një kitareje “45”, që i referohet numrit të tij si president i SHBA-së gjatë mandatit të parë.

Dokumentet gjithashtu pasqyrojnë dënimet civile të mëdha që vazhdojnë të rëndojnë mbi presidentin.

Ai raportoi detyrime që tejkalojnë 50 milionë dollarë ndaj prokurores së përgjithshme të Nju Jorkut dhe ndaj E. Jean Carroll, një ish-kolumniste revistash që akuzoi Trump se e përdhunoi në një dyqan në Nju Jork në vitet ’90 dhe më pas e shpifi kur mohoi akuzat dhe sugjeroi se ajo e kishte trilluar historinë për të rritur shitjet e librit të saj.

Të premten, një gjykatë apeli hodhi poshtë përpjekjen e Trump për të apeluar një dënim prej 5 milionë dollarësh në një çështje të ngritur nga Carroll. Juria në atë rast gjeti se Trump e kishte abuzuar seksualisht Carroll, mjaftueshëm për ta shpallur fajtor për dhunë fizike, por nuk konstatoi se Carroll kishte vërtetuar përdhunimin. Trump i ka mohuar të gjitha akuzat. Ai gjithashtu po kërkon që një gjykatë apeli të anulojë një vendim tjetër të jurisë që i urdhëron atij të paguajë 83 milionë dollarë për një padi të dytë të fituar nga Carroll.

Gjykimi tjetër civil, me vlerë mbi 50 milionë dollarë, rrjedh nga vendimi i një gjykatësi të Nju Jorkut që urdhëroi Trumpin të paguajë 454 milionë dollarë vitin e kaluar në një çështje civile për mashtrim të ngritur nga Prokurorja Letitia James. Trump e ka apeluar këtë rast.

Klubet private të Trump gjithashtu gjenerojnë të ardhura të mëdha me në krye pronën simbolike të presidentit, Mar-a-Lago, e cila solli pak më shumë se 50.1 milionë dollarë në të ardhura, rënie nga rreth 57 milionë në një deklaratë të mëparshme të vitit të kaluar.

Dokumentet zbulojnë gjithashtu më shumë rreth tarifave për fjalimet publike që ka fituar Zonja e Parë Melania Trump gjatë fushatës së vitit të kaluar. Ajo u pagua 475,000 dollarë për një fjalim për Log Cabin Republicans, një grup që përfaqëson konservatorët LGBTQ, në Nju Jork në korrik.

Fjalimet e saj me pagesë janë vënë në qendër të vëmendjes më parë. Një deklaratë e mëparshme tregoi se Melania Trump kishte marrë 237,500 dollarë për një paraqitje në prill 2024 në Palm Beach, Florida.

Ajo gjithashtu fitoi afro 217,000 dollarë nga shitja e NFT-ve (tokenë jo të këmbyeshëm).

Deklaratat për nënpresidentin JD Vance u publikuan gjithashtu të premten dhe tregojnë se ish-senatori nga Ohio dhe bashkëshortja e tij, Usha Vance, kanë miliona dollarë në pasuri, megjithatë pasuria e tyre nuk i afrohet asaj të Trump.

Vance ka marrë midis 50,001 dhe 100,000 dollarë në të ardhura nga libri i tij “Hillbilly Elegy”, kujtimet e vitit 2016 që e katapultuan në famë dhe që më vonë u adaptuan në film./CNN

Përktheu dhe redaktoi në shqip, Media Ditari