Mbytet një 60-vjeçar në plazhin e Velipojës, rasti i dytë brenda pak ditësh

Një burrë ka humbur jetën në plazhin e Velipojës këtë të hënë. Viktima, një 60 vjeçar dyshohet se ka pësuar atak kardiak teksa po lahej në det.

60-vjeçari, identiteti i të cilit nuk dihet ende, ka dale në breg i shtyrë nga uji dhe më pas është konstatuar nga pushues të tjerë, të cilët menjëherë kanë njoftuar autoambulancën e Velipojës dhe policinë.

Sipas burimeve nga vendngjarja për afro 15 minuta trupi i pajetë ka qëndruar mbi ujë sepse pushuesit e tjerë nuk e kanë ditur se ishte mbytur derisa uji e nxori në breg.

Rikujtojmë se ky është rasti i dytë brenda pak ditësh pas humbjes së jetës të një 69 vjeçare në 16 qershor, e cila po ashtu u mbyt në plazhin e Velipojës teksa ndodhej brenda në ujë duke pësuar atak në zemër.