Mbyllja e TikTok, Rama: Jemi në dialog pozitiv me kompaninë, do të vijnë në Shqipëri me masa për rritjen e sigurisë për fëmijët

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me vendimin e qeverisë për të mbyllur TikTok për një vit në Shqipëri. Në një postim në rrjetin social, X, kreu i qeverisë thotë se vendimi u mor pas një konsultimi të gjerë me 65 mijë prindër dhe pasi u ngritën kapacitetet e nevojshme teknike.

Por Rama thotë se me kompaninë janë në një dialog shumë pozitiv, me përfaqësues të saj që pritet të vijnë në Shqipëri për të paraqitur masat për rritjen e sigurisë për fëmijët.

‘Vendimi për mbylljen e përkohshme të TikTokut është e para një vendim i marrë në konsultimin e gjerë me 65 mijë prindër e mësues dhe e dyta, është një vendim i marrë pasi u ngritën kapacitetet e nevojshme teknike, ndërkohë që ne jemi në një dialog shumë pozitiv me kompaninë, e cila së shpejti do të vijë në Shqipëri për të na paraqitur qoftë një sërë masash për rritjen e sigurisë për fëmijët, përfshirë edhe në gjuhën shqipe, qoftë disa risi në shërbim të mësimeve e të studimeve

Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi”- shkruan Rama.

Kujtojmë se qeveria mori vendimin për mbylljen e TikTok në dhjetor të 2024-ës,  pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani me thikë nga një bashkëmoshatar i tyre, pas një sherri të nisur në rrjetet sociale.