Opozita ka çekur sot siparin e protestave që kanë për qëllim largimin e kryeministrit Edi Rama nga qeveria dhe zv.kryeministres, Belinda Balluku, pasi kjo e fundit është zyrtarisht e pandehur nga SPAK në lidhje me tunelin e Llogarasë.
Protesta zgjati rreth 1 orë e gjysmë përpara Kryeministrisë, ndërsa ndryshe nga tubimet e kaluara, numri i qytetarëve ishte më i ulët. Edhe pse PD kishte marrë 2 orë leje për protestën, ajo u mbyll 20 minuta më përpara.
Ishte Berisha, i cili mbylli protestën duke mbajtur një fjalim shkurtër, ndërsa paralajmëroi një tjetër Foltore në shesh.
Kryedemokrati më herët tha se protesta do të ketë çdo javë deri sa kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku të japin dorëheqjen.
Ndërkohë Berisha ka njoftuar se pas protestës do të nisë një analizë e brendshme dhe një tur dëgjimor në terren për të forcuar lidhjen me qytetarët.
“Edhe njëherë mirënjohje të pakufishme, themelon kjo foltore atë lëvizje të fuqishme që do t’i japë këtij regjimi ndëshkimin që meriton.
Prandaj, le të përshëndesim përzemërsisht dhe me mirënjohje të gjithë ata që morën pjesë dhe e ndoqën këtë foltore, e cila, ju garantoj, do të shndërrohet në një gur frymëzimi.
Kjo foltore unike në historinë e vendit do të realizojë bashkimin e shqiptarëve. Mirupafshim në foltoren tjetër në këtë shesh, gjer në fitore”, tha Berisha.