Mbi 50 të vrarë nga shpërthimet pranë varrit të komandantit ushtarak iranian Qasem Soleimani

Të paktën 53 persona janë vrarë në qytetin Kerman në Iran, ku po mbahej një ceremoni në përvjetorin e vrasjes së komandantit të lartë të Iranit Qassem Soleimani, në dy shpërthime të regjistruara sot.

Irani i përshkroi shpërthimet si “sulme terroriste”, që ndodhën pranë varrit të Qassem Soleimani.

Ky i fundit u vra nga një sulm ajror amerikan në Aeroportin Ndërkombëtar të Bagdadit katër vjet më parë.

Videot e postuara në mediat shtetërore iraniane treguan turma të mëdha që vraponin në zonë pas shpërthimeve.

Dikur një nga njerëzit më të fuqishëm të Iranit, Soleimani ishte kreu i Forcës Quds të Gardës Revolucionare, një njësi elitare që merret me operacionet jashtë shtetit të Iranit dhe që u konsiderua si një organizatë e huaj terroriste nga SHBA.