Mbahen homazhet për gjyqtarin Astrit Kalaja, opozita kërkon të shpallet “Dëshmor i Atdheut”

Në ambientet e Pallatit të Kongreseve po zhvillohen homazhet për gjyqtarin Astrit Kalaja, i vrarë brenda Gjykatës së Apelit nga Elvis Shkambi, teksa po jepte vendimin për një çështje pronësie.

Pjesë e homazheve ishin edhe kryeministri Rama, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari dhe shumë gjyqtarë e prokurorë, që i dhanë lamtumirën kolegut të tyre, i cili do të përcillet për në banesën e fundit.

Ndërkohë, në Konferencën e Kryetarëve, opozita ka kërkuar që gjyqtari i ndjerë Astrit Kalaja të shpallet “Dëshmor i Kombit”.

Opozita e ka cilësuar vrasjen e tij si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj sistemit të drejtësisë, teksa deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kërkuar që në seancën e nesërme plenare të zhvillohet një debat për gjendjen e sigurisë në vend.

“Kuvendi nuk mund të mblidhet vetëm për të miratuar procesverbale. Vrasja e gjyqtarit është një krim shumë i rëndë që trondit ndërgjegjen kombëtare. Siguria e jetës në Shqipëri duhet të jetë në qendër të diskutimeve të përfaqësuesve të qytetarëve,”  u shpreh Blushi.