Mazhoranca sulmoi Shehajn se foli për mbetjet toksike, politologu akuzon: Simbolikë e trishtë e standardeve parlamentare në vendin që do të hyj në BE

Seanca plenare e sotme në Kuvend u shoqërua me debate të ashpra mes Agron Shehajt dhe ministrave të qeverisë, për çështjen e mbetjeve toksike në anijen “Moliva”, e cila po pret të ankorohet në Portin e Durrësit.

Shehaj hodhi akuza ndaj qeverisë se nuk po lejon sekuestrimin dhe testimin e konteinierëve për të fshehur trafikun ndërkombëtar të mbetjeve toksike nga Porti i Durrësit, por u përball me sulme dhe etiketime nga ministrat, të cilët nuk mundën t’iu përgjigjeshin pyetjeve dhe e kaluan debatin në fyerje personale.

Kjo sjellje e ministrave është kritikuar nga politologu Afrim Krasniqi, i cili thotë se ajo që ndodhi sot në Kuvend, është një simbolikë e trishtë e standardeve parlamentare të një vendi që do të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

“Sot në Kuvend deputeti opozitar Agron Shehaj foli për skandalin e anijes/DR. Plot 12 deputetë të mazhorancës përfshirë 3 ministra e sulmuan/etiketuan/fyen/tallën. Të gjithë u ankuan se iu dha fjala atij. Simbolikë e trishtë e standardeve parlamentare në vendin që do të hyj në BE”, shkruan politologu Krasniqi.