Kreu i PD, Sali Berisha ka paralajmëruar protestë ditën e shtunë, pas ngjarjes së rëndë që ndodhi një ditë më parë, ku 3 persona, mes tyre një kalimtare e pafajshme, humbën jetën gjatë një atentati mafioz. Në një konferencë për mediat, Berisha tha se protesta do të mbahet në orën 12:00, dhe do të jetë në shenjë solidariteti për viktimat e djeshme.
“Të shtunën në orën 12:00, PD organizon protestë në Shkodër në shenjë solidariteti për viktimat e djeshme, për t’i thënë jo dhunës së mafies”, tha Berisha.
Më tej, kreu i PD hodhi akuza ndaj policisë së Shkodrës lidhur me masakrën e djeshme. Berisha tha se Hamza Lici dhe Arlind Bushati, të dy viktimë nga atentati i djeshëm, i nxori në pritë dikush nga policia.
“Ishte e paralajmëruar dhe kishin çdo të dhënë për përgatitjen e saj. Nuk kam të sigurt burimin, por në pritë i nxori dikush nga policia që u devijoi rrugën Licit dhe Bushatit.
Kjo masakër nuk mund të mos lidhet me vendimin e Ramës për të kandiduar në Shkodër. Rama e di që është njeriu më i urryer nga Shkodra dhe shkodranët”– u shpreh Berisha.