Është shtyrë seanca gjyqësore ndaj Laert Haxhiut, në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në 2017 në Lushnjë, ku u vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, teksa shënjestra ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjës.
Mësohet se seanca e radhës do të mbahet më datë 22 janar, ku është thirrur si dëshmitar edhe babai i tij.
Laert Haxhiu, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, u arrestua në maj të vitit 2023 nga policia greke me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. 31-vjeçari, i lindur në Lushnjë, u arrestua në Janinë nga policia greke dhe me vete kishte një leje qëndrimi greke të falsifikuar me emrin Mikis Askalidis, 32 vjeç, lindur në Gjeorgji.
Ndërkohë arrestimi i Artan Tafanit, autorit të grabitjes së 30 mijë eurove në një pikë këmbimi në Astir, rëndoi më tej pozitën e Haxhiut. Tafani “zbërtheu” para hetuesve, disa prej ngjarjeve kriminale të kryera nga banda e Laert Haxhiut.
Laert Haxhiu, kreu i grupit kriminal, bashkë me të penduarin e drejtësisë, Artan Tafani rezultojnë bashkëpunëtor në 4 vrasje në Shqipëri. Gjithashtu 31-vjeçari ka urdhëruar dhe dy vrasje në Greqi. Të gjitha këto krime kanë ndodhur nga viti 2018 deri në vitin 2021.