Gjykata e Tiranës ka lënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për 37-vjeçarin Roland Ahmetsulaj, i cili akuzohet se ka ndihmuar autorët e krimit të masakrës në Don Bosko. Ngjarja ndodhi më 4 janar të 2022, ndërsa Ahmetsulaj rezulton pronar i një biznesi karrotreci dhe shit-blerje makinash, rreth 1 km larg vendit ku ndodhi atentati.
Në dëshminë e dhënë para togave të zeza, Ahmetsulaj ka mohuar përfshirjen në ngjarje, teksa pretendon se me Kevin Suçin, i cili dyshohet se ka qenë ekzekutori, ka komunikuar vetëm për rregullimin e një makine.
“Nuk kam lidhje me ngjarjen. Dy ditë para vrasjes kam patur bisedën me Kevin Suçin për rregullim makine. Më ka marrë për makinën nëse është rregulluar ose jo”, tha para gjykatës i riu.
Pak ditë më parë prokuroria e Tiranës njoftoi se kishte zbardhur masakrën dhe sipas saj 35 vjeçari Erjon Çela u vra dhe 4 të tjerë u plagosën gabimisht, pasi shënjestra ishte një person tjetër.
Policia tha se ka patur shumë komunikime në orarin kur ka ndodhur ngjarja, por sipas avokatit të Ahmetsulaj biznesi i këtij të fundit ndodhet vetëm 700 m nga vendi i ngjarjes dhe se ka patur komunikime vetëm për punë. Edhe bashkëpunëtorët e drejtësisë Indrit Gentjan Beqiraj, nuk e kanë përmendur emrin e klientit të tij sipas avokatit.
Hetuesit kanë dyshime se Ahmetsulaj ka dhënë informacione për shënjestrën tek vrasësi i shpallur në kërkim, Kevin (Zeneli) Suçi.
Po ashtu, Policia po verifikon nëse Roland Ahmetsulaj ka dijeni për vendodhjen e makinës tip Benz që lëviznin autoret diten e ngjarjes. Deri më tani nga verfikimet ende nuk është arritur në zbulimin e kësaj makine.
Porositësi i këtij atentati akuzohet se ka qenë Kasandër Noga, për shkak të hasmërisë së vjetër. Ngjarja është zbardhur pas zbërthimit të telefonit të tij, pas arrestimit në Belgjikë. Në rolin e ekzekutorit ka qenë Kevin Suçi, bashkë me dy persona të tjerë të paidentifikuar nga Fushë Kruja.