Marshimi në Tiranë për vrasjen e Elgi Progës, policia njofton rrugët që do të bllokohen, motra e 42 vjeçarit: S’ do të ndalem sa të kem frymë

Ditën e sotme do të mbahet në Tiranë marshimi për vrasjen e 42 vjeçarit Egli Proga, ngjarje e ndodhur më datë 10 gusht në qytetin e Pogradecit.

Ndërkohë policia e Tiranës ka marrë disa masa, ku njofton mbylljen e disa rrugëve. Konkretisht prej orës 19:30 e deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, segmenti i rrugës “Myslym Shyri” nga Gjykata e Lartë deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Policia apelon për të gjithë qytetarët që të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugët “Ibrahim Rugova” dhe “Papa Gjon Pali” si rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit.

Ndërkohë ditën e djeshme, reagoi edhe motra e të ndjerit Egli Proga, Jonida Proga, e cila theksoi se nuk ka për tu ndalur deri në momentin që të gjejë drejtësi për vrasjen e vëllait të saj.

Rikujtojmë se ngjarja u raportua fillimisht si aksidentale, dhe vetëm një ditë më pas u zbulua se ishte një vrasje. Autor është 29 vjeçari Denis Meçe, i cili e dhunoi me sende të forta 42 vjeçarin, i cili si pasojë e plagëve ndërroi jetë.