Ruel Domi
Socializmi si ideologji sheh sot një ngritje të frikshme në popullaritet në Perëndim. Idhtarët e Marksit dhe Engelsit në Shqipëri fërkojnë duart kur kjo ndodh. Ne të tjerët do na duhet të jemi vigjilentë! Shumë vigjilentë!
Teksa lexoja para disa ditësh, më kapi syri një shprehje të vjetër të Presidentit Regan. “Si e dallon një komunist? Duhet të jetë një person që lexon Marksin dhe Leninin. Si e dallon një anti-komunist? Duhet të jetë dikush që e kupton Marksin dhe Leninin”. Konteksti i atëherëshëm është i ndryshëm nga ai i sotëm, por me paralele të dukshme për të cilat ajka e shoqërisë në Perëndim dhe në Shqipëri duhet të jetë e përgatitur. Në ndryshim nga lufta e ftohtë, që përfundoi me gjunjëzimin ekonomik, shoqëror dhe gjeopolitik të ideologjisë më të keqe të njerëzimit, komunizmit, sot kapitalizmi modern përballet me një ringritje të dogmave të shekullit të kaluar. Neo-marksistët në Perëndim e kanë kuptuar që Marksi apo Engelsi nuk vihen dot në praktikë pa dhunë sistematike shtetërore, kështu që domosdoshmërisht kanë shpikur dhe kanë përpjekur të instalojnë një miniaturë të marksizmit brënda kapitalizmit fraxhil të pas krizës financiare të 2008-s. Kjo miniaturë, e fshehur nën mantelin e shtetit social, mbështet zmadhimin e gjithanshëm të shtetit në kurriz të tregut, inicativës private dhe individit të lirë. Ky shtet social, që në Shqipëri ka filluar të propogandohet nga parti të ekstremit të majtë, mbështet taksimin e pasurisë në norma të larta, vjedhjen e të ardhurave të individit në emër të barazisë dhe drejtësisë sociale, sigurimin e një page qyl nga shteti në formën e minimumit jetik, shtetëzim të sektorëve kyc si shëndëtësia, arsimi dhe prodhimi i naftës. Në vetvete këto politika paraqesin një ‘deja-vu’ interesante që ekonomistët nuk u japin dot zgjidhje. Profesori i mirënjohur afro-amerikan i universitetit të Michiganit, Thomas Sowell, dhe njëherazi një ish-marksist, thotë: “Socializmi është një ide fantastike. Është thjesht realiteti që kanë qënë shkatërrim total. Midis njerëzve të çdo racë, ngjyrë dhe besimi, në mbarë botën, socializmi ka çuar në uri vëndet që kishin ushqim të tepërt për të eksportuar… Megjithatë, për shumë nga ata që merren kryesisht me ide, socializmi mbetet një ide tërheqëse — në fakt joshëse. Çdo dështim i saj shpjegohet si për shkak të pamjaftueshmërisë së liderëve të veçantë. ” Dhe profesori ka shumë të drejtë. Sado të dështojnë politikat marksiste dhe socialiste, sërish ka idiotë të dobishëm që duan t’i risjellin në praktikë.
Para 40 vjetësh, komunisti tipik dukej si Lenka Cuko dhe Shkurte Vata. Të veshur me palltot dhe trikot me rombë, komunistët e kohës i bënin lavde partisë dhe shokut Enver dhe i thurnin elozhe gjoja superioritetit moral dhe pragmatik të Marksizëm-Leninizmit ndaj kapitalizmit amerikan. Në Shqipërinë e 2024-s, komunistët janë një “thëngjill i mbuluar” nën renë e madhe të retorikës tribale të luftës për tendera nëpërmjet baltës apo protestave. Komunistët sot përdorin Iphonin, Facebook-un, apo mikrofonin e krijuar nga një kapitalist për të pëllitur sësi kapitalisti që i ka prodhuar këto produkte ka shfrytëzuar punëtorët. Tek një popull me shumë pak traditë dëmokratike dhe ideologjike si shqiptarët, premtimet e komunistëve të rinj ngjallin një lloj ‘shprese’: arsim, shëndetësi dhe transport falas, strehim social i garantuar nga shteti, ndërhyrje e shtetit në punësime, minimumi jetik 200,000 lekë të vjetra, organizimi kolektiv në punë janë disa prej dokrrave që e majta e re në Shqipëri, si kopje e keqje e të majtës së fantaksur në Perëndim, i thotë për të terhequr individë të pakënaqur me sistemin. Pyetja që lind është: Cfarë duhet te bëjnë intelektualët me pak “common sense” për t’ju kundërvënë këtyre politikave që kanë shkatërruar shtete gjatë historisë?
Së pari rastet ku politikat socialiste kanë shkatërruar shtete të pasura apo shtete në zhvillim e sipër duhen futur në diskurin politik shqiptar dhë fuqishëm madje. Venezuela është shembulli tipik. Nën rregjimin e diktatorëve socialistë Hugo Çavez dhe Nikolas Maduro, Venezuela u kthye nga një petroshtet i pasur i Amerikës Latine, në një shtet me inflacion 130,000%, mungesë oferte të produkteve si qumësht dhe letra higjenike dhe varfëri ne normën 90%. Si pasojë, 7.7 milionë venezuelianë janë larguar nga vëndi. Kjo rrokopujë socio-ekonomike është pasojë e drejtpërdrejtë e politikave socialiste të shtetëzimit, kontrollit të cmimeve dhe te shtetit social. Në emër të luftës ndaj ‘pabarazisë’, Hugo Çavez shtetëzoi sektorin e agrikulturës duke vjedhur 6 mln hektarë tokë nga pronarët e tokave. Ky shtetëzimi idiotesk, që përmëndet shpesh në Shqipëri si politikë dhe nga e “majta demokratike”, sjell renie të produkteve në treg, rritje të cmimeve si dhe punësime masive në shtet, duke i cuar në faliment këto kompani. Asnjë shtet nuk e ka kapacitetin të drejtojë kompani private dhe t’a nxjerrë me fitim. Kjo është arsyea pse shtetëzimi shkatërron dhe nuk ndërton. Shtetëzimet e Çavezit dhe Maduros sollën racionimin e produkteve më bazë, mungesën e dritave, rënien e prodhimit të naftës dhe falimentimin e financave publike.
Nëse ke arritur të lexosh deri në këtë pikë, Venezuela e Çavez-Maduro mund të të ngjajë shumë me Shqipërinë e varfër të tollonave të viteve 1980. Do ishte naive të mendohej që Shqipëria nuk shkon më në atë pikë; shkon ‘si c’ke me atë punë’ nëse politikat majtiste të shtetit social aplikohen dhe tek ne sërish. Minimumi jetik si lek qyl për individin nuk e bën shoqërinë më të pasur e më të begatë. Përkundrazi paraziton individin duke gërryer arkën e shtetit me paratë e dikujt që i paguan ato taksa me djersën e ballit. Kur i paguan njerëzit për të mos punuar, shkakton dy gjëra: ul rendimentin e punëtorit sepse ai ka nevojë të punojë më pak dhe rrjedhimisht ul numrin e produkteve në treg duke shkaktuar inflacion masiv. Shtetëzimi i shendetësisë, arsimit, transportit nuk i ben këto shërbime më të mira. Përkundrazi i jep shtetit monopolin e drejtimit të këtyre shërbimeve duke ulur cilësinë dhe duke shkaktuar rënie të ofertës. Incentiva e politikanit është dhënia e gjëravë pa lekë dhe në masë, c’ka do të ndodhte nëse spitalet, shkollat apo taksitë do ishin të gjitha të shtetit në Shqipëri. Nëse ajo ndodh, njerëzit do shohin një rënie të madhe të ofertës për këto sherbime dhe produkteve që vijnë nga këto shërbime që nga ana e vetë do shkaktojë rënie të cilësisë si dhe krijimin e një tregu paralel të zi për të kompensuar rënien e ofertës. E gjithë kjo sepse kur ua jep njerëzve dicka falas dhe me kosto gjigande për shtetin dhe taksapaguesin, të gjithë e kërkojnë, cka sjell rënie drastike të ofertës, cilësisë dhe rrjedhimisht racionime të produktit sepse jo cdo kush ka akses tek ai produkt kur të gjithë njerëzit duan të njëjtën gjë. Prandaj zgjidhje për mungesën e aksesit te një shtresë në një sektor nuk mund të jetë shtetëzimi i atij sektori por nxitja e sektorit privat dhe e hyrjes së sa më shumë agjentëve në treg. Kjo do të nxisë konkurrencën, rënien e cmimeve si dhe do rrisë larmishmërinë dhe aksesin e produktit në treg për individin. E njëjta logjikë vlen për premtimin e banesave sociale që është aq qesharak sa dhe i provuar i dështuar në shumicën e vëndeve ku është vënë në zbatim. Kudo ku shteti ka ndërtuar pa qëllim fitimi por me qëllim shpërndarje apartamentesh me kosto të ulët, komuniteti dhe sipërmarrja ka vuajtur për shkak të kthimit të këtyre njësive banimi në geto për përdoruesit e drogës të cilët kanë destabilizuar komunitetet e tyre. Ulja e kostove të banimit arrihet nëpërmjet rritjes së ofertës në treg që bëhet duke ulur taksat dhe eleminuar ligjet e kota që dekurajojnë ndërtuesin nga ndërtimi.
Marksistët në përgjithësi nuk e kuptojnë ekonominë, tregjet dhe natyren njerëzore. Të thuash që cmimet ulen me cmim tavan, është si të thuash që cdo dhimbje zgjidhët me shiringë. Është një vështrim mekaniko-utopik i fabrikës ekonomike që thuajse gjithnjë i bën më keq gjërat. Në kushtet kur një rregjim a-ideologjik dhe kapilarisht i korruptuar është instaluar, shqiptarët kërkojnë shpresë. Shpresa nuk mund të gjëndet kurrsesi tek marksizëm-socializmi dhe post-modernizmi por tek tregu i lirë, puna, familja, atdheu dhë e vërteta njerëzore.