“Luftë” Gjykatë Kushtetuese – Kuvend! Holta Zaçaj refuzon ftesën e Komisionit Anti-Korrupsion, a po sabotojnë ndërkombëtarët kapjen e drejtësisë?

Refuzimi për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sidomos për çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës, duket se ka sjellë një luftë të ftohtë mes Kushtetueses dhe Kuvendit të Shqipërisë.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ka refuzuar ftesën e Fatmir Xhafajt për të marrë pjesë në Komisionin e Posaçëm Anti-Korrupsion, por që nga opozita cilësohet si Komisioni për të kapur SPAK-un.

Në përgjigjen e saj drejtuar këtij komisioni, Zaçaj shprehet se nuk mund të marrë pjesë për shkak se nuk mund të jetë pjesë e proceseve ligjbërëse.

“Të nderuar më përgjigje të shkresës Tuaj nr. 3016, datë 31.07.2024, me anë të së cilës kërkohet caktimi i përfaqësues/ekspert dhe profesionist nga Gjykata Kushtetuese në Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, duke ju përgëzuar për nismën, ju bëjmë me dije se Gjykata Kushtetuese, për shkak të funksionit të saj, nuk mund të marrë pjesë në aktivitete që lidhen me procese ligjbërëse, pasi kjo mund të sjellë në të ardhmen konflikt në ushtrim të funksionit të saj në kontrollin e pajtueshmërisë së ligjeve me Kushtetutën, përveç rastit të ndryshimeve në Kushtetutë dhe ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, shkruhet në përgjigjen e kryetares së Gjykatës Kushtetuese.

Por refuzimi për të marrë pjesë në një Komision të tillë, është një sinjal i qartë i fillimit të sabotimit që po i bëhet kapjes së drejtësisë nëpërmjet këtij Komisioni që drejtohet nga Fatmir Xhafaj.

Disa ditë më parë ndërkombëtarët i dolën në krah Gjykatës Kushtetuese për çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës, duke akuzuar Kuvendin se po shkelte Kushtetutën, ndaj nuk është çudi që refuzimi i kësaj ftese nga Zaçaj të ketë ardhur pas një komunikimi me ambasadat e huaja në vendin tonë.

Ndërkombëtarët me në krye SHBA-të janë kumbarët e Drejtësisë së Re, ndaj nuk mund të heshtin ndaj një manovre të qeverisë për të futur duart te SPAK, BKH dhe GJKKO, pas arrestimeve të shumë zyrtarëve të lartë të qeverisë ndër vite.