Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, ka treguar se edhe ai është paraqitur në SPAK rreth 3 muaj më parë, ku është pyetur në lidhje me një denoncim ndaj tij për fshehje pasurie.
Ai tha në emisionin “Frontline” se e telefonoi një oficer i SPAK dhe u paraqit në Prokurorinë e Posaçme, teksa shtoi se nëse ndaj tij do të ishte nxjerrë urdhër “detyrim paraqitje”, nuk do të kishte shkuar, pasi më parë duhej marrë leja nga Kuvendi.
“Në SPAK kam qenë dhe unë, më ka marrë në telefon një oficer i SPAK dhe më tha duhet të vish për një deklarim. Shkova deklarova. Më thirrën për një denoncim të bërë për mua nga një patronazhist nga Fieri, që thoshte se s’kam deklaruar të ardhurat. Ka tre katër muaj. SPAK kishte marrë denoncimin, kishte marrë dokumentacionin e hapi dosjen dhe mori deklarimin nga unë. Më tha sa prona ke, i thashë kam këtë këtë. Po të më nxirrnin urdhër paraqitje, nuk do shkoja nëse do ishte në atë formë. Ka procedurë ligjore”, tha Baçi.