Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji është liruar nga burgu. Vendimi u dha sot nga Gjykata e Fierit, duke pranuar kërkesën e mbrojtjes për të liruar me kusht ish-ligjvënësin demokrat, pasi Shërbimi i Provës paraqiti një raport pozitiv ndërsa edhe prokuroria dha dakordësinë.
Ervin Salianji ndodhej në burg që prej shtatorit të vitit të kaluar kur u dënua me një vit burg për kallëzim të rremë lidhur me dosjen “Babale”. Lirimi nga qelia vjen pasi kreu 2/3 e dënimit.
Salianji u dënua në 18 Dhjetor 2019 me 1 vit burg nga Gjykata e Shkallës së Parë ndërsa në shtator të 2024, Apeli vendosi të lërë në fuqi dënimin për ish-deputetin demokrat.
Vendimi për ta dënuar me burg u pasua me një sërë reagimesh politike të krahut të djathtë, të cilët e cilësuan dënimin e tij me burg si vendimmarrje politike. Të tillë e quajti edhe vetë Salianji, ku tha se është i dënuari i parë politik në këto 34 vite pluralizëm.