Para mbërritjes në parlamentin izraelit, presidenti amerikan Donald Trump foli për gazetarët në pjesën e pasme të avionit Air Force One, ku u shpreh i entuziazmuar për rolin e tij në arritjen e marrëveshjes së Gazës. Ai tha se të gjitha palët janë të kënaqura me akordin dhe se “çdo vend po kërcen në rrugë”, duke e përshkruar situatën si një moment unik për paqen në Lindjen e Mesme.
Zbarkimi i delegacionit amerikan në Tel Aviv përkoi me lirimin e pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi, që presidenti e quajti “të mrekullueshme”. Trump u shpreh i bindur se armëpushimi do të zbatohet dhe se kjo vizitë do të shënojë një etapë të rëndësishme në procesin e stabilizimit të rajonit.
I pyetur për reagimet e turmës në Sheshin e Pengjeve gjatë përmendjes së emrit të tij, ai tha se ndjeu nder që njerëzit brohoritën për të. Megjithatë, presidenti shmangu detajet rreth mënyrës se si do të qeveriset Gaza pas marrëveshjes dhe foli shkurt për planin e tij 20-pikësh që përfshin krijimin e një Forcë Ndërkombëtare të Stabilizimit. “Do të jetë një forcë e madhe dhe e fortë”, tha ai, duke shtuar se “mezi do të duhet të përdoret, sepse njerëzit do të sillen mirë”.
Trump konfirmoi gjithashtu se “Bordi i Paqes”, struktura që do të ketë rol në qeverisjen e Gazës, do të formohet së shpejti, ndonëse Hamasi e ka hedhur poshtë idenë. Ai theksoi se shumë udhëheqës botërorë kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e këtij procesi, të cilin e konsideron “një arritje historike 3,000-vjeçare”.
Presidenti amerikan është tashmë në Knesset, ku pritet t’u drejtohet parlamentarëve izraelitë. Ai është presidenti i katërt i SHBA-së që flet në parlamentin izraelit që nga krijimi i tij në vitin 1949 dhe i pari që e bën këtë pas vitit 2008.
Ndërkohë, Hamasi ka njoftuar se të gjithë pengjet izraelite të gjallë janë liruar dhe se trupat e atyre që kanë humbur jetën do të dorëzohen më vonë.