Ligji i diskutueshëm “Chat Control” i Bashkimit Europian është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes. Presidenca aktuale daneze e Këshillit të BE-së ka zgjedhur të investojë kapital të madh politik në këtë nismë – aq shumë, saqë riparaqitja e legjislacionit ishte veprimi i saj i parë zyrtar sapo mori detyrën në korrik të këtij viti. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, synon ta miratojë ligjin deri në mesin e tetorit.
I njohur në zhargonin burokratik të Brukselit si “Rregullorja për Parandalimin dhe Luftimin e Abuzimit Seksual të Fëmijëve”, propozimi synon të ndalojë përhapjen e materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve (CSAM) në internet. Qëllimi, në vetvete, është i ndershëm dhe i lavdërueshëm. Por metoda e përzgjedhur nga burokracia europiane – që parashikon skanimin e komunikimeve private, përfshirë ato të mbrojtura me enkriptim fund-më-fund (end-to-end) – përbën një kërcënim serioz për privatësinë personale, sovranitetin kombëtar dhe vetë parimet themelore mbi të cilat thuhet se është ndërtuar BE-ja. Duke përkrahur kontrollin e centralizuar të komunikimit dixhital, presidenca daneze po e shndërron BE-në në një shtet mbikëqyrës. Është një autoritarizëm teknologjik liberal – në versionin e tij më të keq. Është një skenar oruellian. Dhe, për këtë arsye, duhet refuzuar.
Ligji “Chat Control” u propozua për herë të parë në maj 2022, shumë përpara se Frederiksen të merrte presidencën e Këshillit. Nëse miratohet, ligji do të detyrojë platformat popullore të mesazheve si WhatsApp, Signal dhe Telegram të skanojnë të gjithë përmbajtjen e përdoruesve – tekste, imazhe, video – për përmbajtje të ndaluar, edhe kur ajo është e enkriptuar. Masat do të zbatohen për të gjithë qytetarët, pavarësisht nëse ka apo jo ndonjë dyshim të arsyeshëm për sjellje kriminale.
Si Komisioni Europian, ashtu edhe qeveria daneze, kanë kohë që e mbështesin këtë nismë të rrezikshme. Tani që Frederiksen mban presidencën e Këshillit, ajo e ka bërë këtë ligj gur themeli të axhendës së saj, duke theksuar nevojën për mjete më të forta për zbatimin e ligjit dhe për të adresuar abuzimet me teknologjinë. Mekanizmi kyç i ligjit është skanimi në anën e klientit (client-side scanning), që nënkupton analizimin e përmbajtjes direkt në pajisjen e përdoruesit, përpara se ajo të enkriptohet. Me fjalë më të thjeshta, kjo është si të lexojë shteti letrat tuaja para se t’i mbyllni në zarf, duke i ekspozuar të gjitha mesazhet tuaja private ndaj mbikëqyrjes automatike. Qytetarët nga Gjermania Lindore mund ta njohin mirë këtë qasje në stilin e Stasit – dhe shumica s’e duan më rikthimin e saj, as në Gjermani, askund tjetër.
Për fat të keq, në vend që të dëgjojë reagimet kritike dhe të shqyrtojë versione më të buta të ligjit, Frederiksen ka zgjedhur të dyfishojë përpjekjet. Aktualisht, 19 shtete anëtare të BE-së thuhet se e mbështesin propozimin. Gjermania mbetet e pavendosur, por roli i saj pritet të jetë vendimtar. Nëse Berlini bashkohet me kampin “pro”, atëherë shumica e cilësuar (15 shtete që përfaqësojnë 65% të popullsisë së BE-së) mund ta miratojë ligjin deri në tetor. Danimarka po shtyn procesin përmes grupeve të punës të Këshillit, me objektivin për të përfunduar qëndrimet kombëtare deri më 12 shtator 2025. E vetmja hap tjetër do të ishte votimi përfundimtar në tetor.
Por implikimet e këtij ligji janë thellësisht shqetësuese. Me skanimin në anën e klientit, shkelet Karta e të Drejtave Themelore të BE-së, konkretisht nenet 7 dhe 8, që mbrojnë të drejtën për privatësi dhe të dhëna personale. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut e ka dënuar më parë ndërhyrjen në enkriptim, me të drejtë. Megjithatë, Danimarka vazhdon përpara, duke shpërfillur jo vetëm këto kufizime ligjore, por edhe parimin e subsidiaritetit, sipas të cilit vendimet duhen marrë në nivelin më të afërt me qytetarin. Rregullimi i komunikimeve digjitale ka qenë gjithmonë një kompetencë kombëtare. Por tani Brukseli – nën drejtimin danez – po uzurpon këtë autoritet, duke rrezikuar të përçajë unitetin e BE-së dhe të largojë vendet që i kushtojnë rëndësi privatësisë.
Ky ligj do të ketë ndikime negative në mbarë botën. Enkriptimi është shtylla kurrizore e sigurisë dixhitale: mbron gjithçka, nga transaksionet financiare, te komunikimet e disidentëve në regjime shtypëse. Duke e minuar atë, BE po vendos një precedent të rrezikshëm, që mund të inkurajojë qeveri të tjera – demokratike apo jo – të kërkojnë qasje në gjithçka që thonë apo bëjnë qytetarët e tyre. Para dy vitesh, organizata si Electronic Frontier Foundation paralajmëruan se politika të tilla do të normalizonin mbikëqyrjen në nivel global, duke forcuar aparatet e regjimeve autoritare dhe duke dobësuar mbrojtjen e të drejtave për miliona njerëz.
Mbështetësit e kësaj nisme liberticide pretendojnë se skanimi me ndihmën e inteligjencës artificiale (AI) mund të balancojë nevojën për privatësi. Por kjo është mashtrim. Në realitet, vendosja e një mekanizmi skanimi në çdo pajisje e kthen çdo telefon apo kompjuter në një mjet spiunazhi, të hapur për ndërhyrje nga hakerë apo shtete armiqësore. Ky është kutia e Pandorës që po hapet.
Dhe, sigurisht, nuk mbaron me kaq. Pasi të vendoset, ky sistem mund të zgjerohet lehtësisht për të monitoruar edhe lloje të tjera përmbajtjeje – përfshirë kundërshtimin politik. Kjo është një frikë e justifikuar, veçanërisht kur shohim se në Britani po ndalohen VPN-të, në Francë një kandidatë presidenciale u përjashtua nga zgjedhjet, dhe në Gjermani gati 10,000 njerëz ndëshkohen çdo vit për ndarjen e “memes politike të gabuar”. Ndërkohë që eurokratët po tentojnë të hyjnë në mesazhet tuaja, Brukseli po shtyn gjithashtu për moderim agresiv të përmbajtjes përmes Aktit për Shërbimet Dixhitale (Digital Services Act).
Të ashtuquajturat përfitime të ligjit janë shumë më pak të qarta. Sipas një raporti të Europol nga një vit më parë, kriminelët e sofistikuar përdorin platforma sekrete dhe të paregulluara, që i bëjnë masat e skanimit të paefektshme ndaj objektivave realë. Ndërkohë, qytetarët e zakonshëm do të mbeten të ekspozuar ndaj një Leviatani shtetëror. Platforma të fokusuara te privatësia, si Signal, kanë kërcënuar se do të tërhiqen nga tregu i BE-së nëse ligji kalon. Me të drejtë. Por kjo do të dëmtojë ekonominë dixhitale europiane dhe do t’i shtyjë përdoruesit drejt alternativave më të pasigurta.
Ligji “Chat Control” është i papranueshëm në një shoqëri të lirë. Ka mjaft vende në botë ku çdo fjalë që thuhet online mund të lexohet nga shteti – nuk duhet të jetë kështu në Europë. Manovrat e Frederiksen-it zbulojnë një trend gjithnjë e më shqetësues: përpjekjet e BE-së për të rritur kontrollin mbi internetin. Nga Akti për Shërbimet Dixhitale tek Akti i ardhshëm për Inteligjencën Artificiale, Brukseli po kërkon të centralizojë autoritetin mbi komunikimet dixhitale. Kjo bie ndesh me vetë themelet e BE-së – lirinë, subsidiaritetin dhe respektin për të drejtat themelore.
Ka alternativa të arsyeshme: hetime të fokusuara, bashkëpunim ndërkombëtar dhe ndëshkime më të ashpra për abuzuesit. Nuk ka nevojë të sakrifikohet privatësia apo sovraniteti për t’u përballur me CSAM. Këmbëngulja e presidencës daneze për ta çuar këtë ligj drejt miratimit, pavarësisht objeksioneve ligjore, etike dhe teknike, duhet të kundërshtohet me vendosmëri.