Libra që vrasin: Trashëgimia helmuese që fshihet në bibliotekat e botës

Në shekullin XIX, ngjyra jeshile ishte një obsesion për viktorianët. Ata adhuronin një nuancë të gjallë smeraldi, krijuar nga një përzierje e bakrit dhe arsenikut – një kombinim toksik që u përdor kudo, nga tapetat e murit deri te lodrat për fëmijë, madje edhe në ëmbëlsira.

“Ngjyra ishte shumë popullore gjatë pjesës më të madhe të shekullit XIX për shkak të gjallërisë dhe rezistencës ndaj zbehjes nga drita,” thotë Erica Kotze, konservatore në Universitetin e St Andrews.

Por ajo që dikur konsiderohej bukuri, sot është një kërcënim i padukshëm, veçanërisht në bibliotekat që ruajnë libra të vjetër.

Në periudhën viktoriane, prodhuesit e librave përdorën arsenik, merkur dhe krom për të krijuar kopertina tërheqëse. Ndryshe nga objektet e tjera shtëpiake që janë zhdukur me kohën, shumë nga këta libra kanë mbijetuar në arkiva dhe biblioteka – duke kthyer një modë të vjetër në një rrezik modern.

Ekspozimi afatgjatë ndaj librave me pigment jeshil mund të çojë në helmim të butë nga arseniku, i cili mund të shkaktojë probleme në lëkurë, dëmtime të mëlçisë e veshkave, dhe të ulë qelizat e kuqe dhe të bardha të gjakut, duke rritur rrezikun për anemi dhe infeksione.

Zbulimi i “Librit të Helmimit” në SHBA

Në vitin 2019, Muzeu Winterthur në Delaware dhe Universiteti Shtetëror nisën projektin “Poison Book Project” (Projekti i Librave Helmues), duke identifikuar tituj të rrezikshëm për shëndetin e njeriut. Katër libra në Bibliotekën Kombëtare të Francës u tërhoqën menjëherë nga qarkullimi si pasojë.

E frymëzuar nga ky projekt, Erica Kotze dhe kolegia e saj, Dr Pilar Gil, biokimiste dhe punonjëse në Koleksionet Speciale të Universitetit të St Andrews, ndërmorën një studim mbi koleksionin e tyre me mijëra libra të vjetër.

Dr Gil vendosi të shmangë teknologjinë me rreze X për shkak të brishtësisë së librave dhe bashkëpunoi me departamentin e gjeologjisë për të përdorur një spektrometër portativ, zakonisht të përdorur për analizimin e mineraleve në gurë.

“Mineralet dhe pigmentet janë shumë të ngjashëm,” thotë ajo. “Kur gjeta një model të përsëritur në librat toksikë, ishte një moment ‘eureka’. Asnjë nuk e kishte vënë re më parë.”

Në bashkëpunim me Departamentin e Fizikës, ata zhvilluan një pajisje të re, më të vogël dhe më të lirë se spektrometrat tradicionale.

Ajo përdor dritë jeshile dhe infra të kuqe për të zbuluar praninë e arsenikut në kopertinat e librave. Kur pigmenti toksik mungon, pajisja lëshon dritë jeshile; kur është prezent, ndizet dritë e kuqe.

Kjo pajisje është përdorur tashmë për të analizuar koleksionet në Universitetin e St Andrews dhe në Bibliotekën Kombëtare të Skocisë. Qëllimi i ekipit është ta bëjnë këtë teknologji të aksesueshme për institucionet më të vogla.

“Si universitet, kemi pajisje të shtrenjta që na ndihmojnë të zbulojmë libra potencialisht toksikë,” thotë Dr Jessica Burge. “Por jo të gjitha bibliotekat kanë mundësi të tilla. Pajisja jonë është e thjeshtë, e lirë dhe nuk ka nevojë për ekspertë për ta përdorur.”

Me kalimin e kohës, librat e prekur nga pigmentet helmuese do të bëhen edhe më të rrezikshëm për shkak të degradimit të materialeve. Prandaj identifikimi i tyre është kyç për ruajtjen dhe përdorimin e sigurt të koleksioneve.

“Shumë biblioteka tani po kufizojnë përdorimin e çdo libri me kopertinë jeshile të shekullit XIX, nga frika se mos janë të rrezikshëm,” thotë Dr Burge.

“Por ne nuk jemi këtu për të mbyllur aksesin. Qëllimi ynë është t’i ruajmë librat dhe t’i bëjmë të aksesueshëm në mënyrë të sigurt për publikun.”