LËVIZJET/ E mbytën me litar dhe e hodhën drejt liqenit të Shkopetit, si u gjurmuan autorët e vrasjes së Renis Dobrës

Nga hetimet e kryera janë zbardhur detaje rreth rrëmbimit dhe mbytjes së 23-vjeçarit Renis Dobra, ngjarje e ndodhur më 8 korrik.

Policia ka identifikuar katër persona, ndërsa dy prej tyre janë arrestuar. Në pranga kanë rënë Petrit Çakrri dhe Fatjon Bushgjoka në Tiranë, të cilët ishin shpallur në kërkim më herët.

Kurse të shpallurit në kërkim janë dy vëllezërit e Fatjonit, Kristi Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj. Paraprakisht pista ku po heton Policia lidhen për motive të trafikut të drogës.

Mediat raportojnë se dy të arrestuarit dhe 23-vjeçari ishin marrë me drogë në Gjermani dhe ky i fundit dyshohet se i kishte mashtruar.

Policia ka rënë në gjurmët e autorëve të dyshuar të krimit nëpërmjet automjeteve që ata kanë përdorur. Ata i kanë ndërruar makinat disa herë për të humbur gjurmët pasi fillimisht, për tre ditë me radhë, kanë bërë vëzhgimin e lëvizjeve të Renis Dobrës në Burrel, deri mbrëmjen e 8 korrikut kur e morën peng dhe pasi e mbytën me litar e hodhën në Liqenin e Shkopetit.

Nëpërmjet GPS-së së qiradhënësit, kanë bërë të mundur zbulimin e tyre. Të dy janë banues në Kamëz.

Renis Dobra u denoncua i zhdukur mbrëmjen e 8 korrikut, ndërsa trupi i pajetë i tij u gjet pranë liqenit të Shkopetit, në fshatin Madhesh, mëngjesin e ditës tjetër.

Sakaq, i riu Renis Dobra është gjetur i mbytur me litar dhe më pas trupi i pajetë është hedhur së bashku me makinën me të cilën lëvizte drejt liqenit të Shkopetit.

Autoritetet po vijojnë punën për lokalizimin dhe arrestimin e dy personave të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtorë në krimin e kryer.