Lëvizja Bashkë e bën zyrtare, Arlind Qori do të jetë kandidat për Bashkinë e Tiranës

Lëvizja Bashkë ka zyrtarizuar kandidatin e saj për zgjedhjet e 9 Nëntorit për Bashkinë e Tiranës, ku në garë do të jetë kreu i kësaj force politike, Arlind Qori.

Ashtu siç e kishin bërë zyrtare, Lëvizja Bashkë nuk iu bashkua koalicionit opozitar që po diskuton për një kandidat të përbashkët, por doli me kandidatin e saj dhe do të garojë e vetme në këto zgjedhje.

“Arlind Qori, ALTERNATIVA E VËRTETË PËR TIRANËN

Propozimi i Lëvizjes BASHKË për mbarë qytetarët e Tiranës në zgjedhjet e 9 nëntorit është emri i kryetarit të saj, Arlind Qori, zëri dhe njeriu, arsimtari dhe aktivisti që për mbi një dekadë ka folur çdo ditë mbi qytetin dhe njerëzit e tij, parqet dhe shkollat, ujin dhe ajrin, të drejtën e strehimit dhe transportin publik, korrupsionin dhe keqqeverisjen etj.

Për ne, zgjedhjet në Tiranë nuk janë thjesht një mundësi për ta shndërruar qytetin sipas nevojave dhe aspiratave të qytetarëve, por edhe një betejë idesh dhe shembujsh që do të rezonojnë në të gjithë Shqipërinë.

Prandaj Arlind Qori, me gjithë eksperiencën, seriozitetin, idealizmin dhe qëndrueshmërinë e tij, është alternativa e vërtetë për qytetin e Tiranës.

Me besim te qytetarët dhe përkushtimi i gjithkujt që do të na bashkohet në këtë fushatë, dalshim faqebardhë”, shkruan Lëvizja Bashkë.

Kujtojmë se Arlind Qori ishte i dyti në listën e Lëvizjes Bashkë në qarkun e Tiranës në zgjedhjet e 11 Majit, por nuk arriti të merrte mandatin e deputetit. Kjo parti mori 1 mandat në Tiranë, të cilin e ka Redi Muçi.

Për Arlind Qorin, kjo është hera e dytë që kandidon për Bashkinë e Tiranës. Në zgjedhjet e vitit 2023, ai u rendit i treti pas Erion Veliajt dhe Belind Këlliçit, duke arritur të marrë 13851 vota.