Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako i dënuar me 2 vite e 8 muaj burg për shpërdorim detyre në dy raste është thirrur nga Prokuroria e Posaçme, lidhur me dosjen në ngarkim të ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja.
Dako do të japë shpjegime se kush e propozoi Çyrbjan për të kandiduar si deputet në qarkun e Durrësit, ku ai renditej në vendin e pestë, në zgjedhjet e vitit 2021.
Jurgis Çyrbja u arrestua në tetor të këtij viti me urdhër të SPAK, pak ditë pasi ai hoqi dorë nga madati i deputetit.
Sipas hetimeve të bëra nga Prokuroria e Posaçme, gjatë kohës që ka qenë deputet, Çyrbja ka qenë një nga përdoruesit e SKY ECC dhe ka mbajtur kontakte me njerëz të botës së krimit.
Ish-deputeti akuzohet për 3 vepra penale, atë të ‘korrupsionit në zgjedhje’, ‘të përkrahjes së autorit të krimit’ dhe të ‘tregimit të sekretit shtetëror’.
Ish-deputeti i PS akuzohet se ka nxjerrë sekretet hetimore të kriminelët, dekonsipiroi operacionet e Polisisë së Durrësit dhe ka fshehur Altin Hajrin, i kërkuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës.