Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka bërë një deklaratë për mediat ku ka njoftuar se është mbajtur një megaoperacion në disa qytete dhe janë lëshuar 15 urdhër arreste. 12 prej tyre janë ekzekutuar.
Arrestimet u kryen në Elbasan, Berat dhe Lushnjë dhe kanë ardhur pas bashkëpunimit të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, me autoritetet.
Rrumbullaku bëri të ditur se sipas hetimeve, Laert Haxhiu rezulton të jetë organizatori dhe porositësi i dy vrasjeve të ndodhura në Greqi.
Shefi i policisë njoftoi se janë zbardhur 6 vrasje të bujshme në Shqipëri dhe në Greqi si dhe tre raste të vjedhjes së pronës me dhunë, tre raste të sigurimit të kushteve për vrasje.
“Laert Haxhiu është organizatori dhe porositësi i vrasjes në Athinë të Lulzim Qorrit dhe Dikens Halili. Të dhënat do i çohen autoriteteve në Athinë”, tha Rrumbullaku.
I pyetur si do të ekstradohet ai në Shqipëri, Rrumbullaku u përgjigj se janë në bisedime me zyrën e Interpolit dhe shprehu besimin se sot ia arrijnë qëllimit.
“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me zyrën e Interpolit dhe kemi besim se do t’ia arrijmë, pavarësisht problematikave ligjore që kemi përpara”, u përgjigj Rrumbullaku.