Ky është qyteti më miqësor për fëmijët në Evropë

Një studim i zhvilluar nga Clean Cities analizoi rrugët shkollore, shpejtësitë e qarkullimit dhe infrastrukturën për biçikleta

Parisi njihet tashmë si Qyteti i Dritës dhe Qyteti i Dashurisë, por tani mund të krenohet edhe si Qyteti me Infrastrukturën më Miqësore për Fëmijët.

Vlerësimi mbështetet nga të dhënat dhe planifikimi urban me fokus fëmijët. Clean Cities Campaign është një OJF që promovon transportin miqësor me klimën dhe ka analizuar 36 qytete europiane mbi bazën e rrugëve shkollore, kufizimeve të shpejtësisë në qarkullim dhe infrastrukturës së mbrojtur për biçikleta.

Parisi doli në krye të renditjes me një rezultat total 75 %, falë një sërë nismash të orientuara drejt fëmijëve në mbarë qytetin, shkruan Shqip.al.

Qyteti ka ndryshuar hapësirat përreth shkollave duke krijuar 220 “rrugë shkollore”, të cilat janë bërë tërësisht pa makina. Për më tepër, kufiri i shpejtësisë 30 km/h është kthyer në normë, dhe korsitë e biçikletave po shfaqen me shpejtësi.

Por kjo nuk është gjithçka. Parisi po i gjelbëron edhe oborret e shkollave: 131 prej tyre janë kthyer në oaze të freskëta dhe me hije. Për familjet, transporti publik është falas për fëmijët, aktivitetet jashtëshkollore subvencionohen, artikujt shkollorë shpërndahen që në klasën e parë, kopshtet ofrojnë vakte 100% organike dhe çmimi i drekës në shkolla për familjet me të ardhura të ulëta mund të shkojë deri në vetëm 13 cent.

Për më tepër, mbi 20 shkolla tashmë ofrojnë klasa në ajër të hapur, ekziston një Akademi Gjuhësore në gjashtë shkolla, “Tumo Paris” po i josh fëmijët drejt aftësive dixhitale, ndërsa Akademia për Klimën po formon qytetarë të ndërgjegjshëm për mjedisin.

Gjatë pushimeve verore, 20,000 fëmijë kanë mundësinë të marrin pjesë në aktivitete në mbi 400 qendra të aktiviteteve të kohës së lirë të administruara nga bashkia e Parisit, si edhe aktivitetet nëpër muze, bibliotekat dhe qendrat publike ku huazohen lodra.

Treshja më e mirë e këtij studimi plotësohet nga Amsterdami, i cili mori 63 %, dhe Antwerp, që ndjek nga afër me 62 %.

Qytetet më miqësore për fëmijët në Europë:

1. Paris
2. Amsterdam
3. Antwerp
4. Bruksel
5. Lyon
6. Helsinki
7. Barcelona
8. Bristol
9. Oslo
10. Ghent