Kuvendi i Shqipërisë mblidhet këtë të martë në seancë plenare dhe në rend të ditës është projektligji “Për buxhetin e vitit 2025”.
Krahas diskutimieve ndërmjet deputetëve, ajo që shihet me interes është rikthimi i Sali Berishës, pas heqjes së masës së sigurisë “arrest shtëpie” nga GJKKO.
“Sali Berisha futet, ‘Metamorfoza’ del”, tha Berisha për mediat, para se të futej në Kuvend.
Pasi qëndroi afro një vit i izoluar në shtëpi me vendim gjykate, Berisha rikthehet në jetën parlamentare.
Ndërkohë, miratimi i buxhetit kërkon shumicë të thjeshtë votash, projektligj ky, i cili kalon vetëm me votat e socialistëve.
Fillimisht do të shprehet Komisioni përgjegjës për Ekonominë dhe Financat. Buxheti i vitit 2025, i diskutuar përgjatë 48 orëve në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, u miratua më 19 nëntor në parim me 75 vota pro, 40 vota kundër, ndërsa 22 deputetë të pranishëm në sallë nuk morën pjesë në votim.
Buxheti për këtë vit, sipas mazhorancës është në një total prej rreth 8,2 miliardë euro.
Gjatë seancës pritet të ketë debate edhe për propozimet e bëra nga opozita, e cila ka kërkuar ndryshime në buxhet, kërkesa të cilat siç ka konfirmuar Grupi Parlamentar i PS nuk do të pranohen me pretendimin se nuk kanë karakter logjik, por janë tërësisht “kërkesa populiste”.