Fjalimet e deputetëve në Kuvend tashmë do të zbardhen nga Inteligjenca Artificiale, por me një kosto prej 750 mijë eurosh.
Pas zgjedhjeve të 11 Majit, është finalizuar edhe tenderi në lidhje me këtë projekt, që do të lehtësojë punën për zbardhjen e fjalimeve të ligjvënësve shqiptar.
Fituese është shpallur kompania “Dega Semos AL”, në bashkëpunim me “PC Store” dhe “BitGenius”, për furnizimin dhe mirëmbajtjen 4-vjeçare të një sistemi të avancuar transkriptimi bazuar në inteligjencë artificiale.
Sipas Kuvendit, kjo shumë e madhe parash do të shpenzohet pasi zbardhja në mënyrë manuale e fjalimeve është i vështirë dhe kërkon më shumë kohë.
Ndërkohë teknologjia e re do të lejojë përpunimin e fjalimeve në kohë reale, klasifikimin e tyre sipas tematikave dhe publikimin automatik në kanalet zyrtare.
“Zbatimi i një sistemi inteligjent transkriptimi dhe shënimet e të dhënave do të lejojnë Kuvendin e Shqipërisë të transkriptojë automatikisht seancat plenare, takimet e komisioneve, të agregojë, shënojë dhe grupojë regjistrimet e folësve, gjë që do të përparojë agjendën e forcimit të transparencës legjislative përmes Teknologjisë së Informacionit, por jo vetëm” shkruhet ndër të tjera në dokumentin e Kuvendit.
Ajo çfarë mbetet tashmë është të dëgjojmë fjalimet e deputetëve, shumë prej të cilëve janë zgjedhur për herë të parë. Për këta të fundit, ka pasur edhe akuza se janë ndihmuar nga grupet kriminale. Megjithatë këto mbeten vetëm deklarata dhe do të duhet të presim deri në shtator, kur nis punën legjislatura e re.