Kuvendi nuk zbaton vendimin për mandatin e Olta Xhaçkës, kryetarja e GJK: Situatë e pazakontë për një shtet demokratik

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj, në një interviste për Zërin e Amerikës, u pyet edhe në lidhje me mos zbatimin e vendimit të GJK sa i takon mandatit të deputetes Olta Xhaçkës.

Zaçaj tha se situata ëshë e pazakontë për një vend demokratik ndërsa shtoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen.

“Është vërtetë një situatë e pazakontë dhe e pamundur për të ndodhur në një shtet demokratik. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen dhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbën në fakt zbatimin e vetë Kushtetutës. Fjalët janë të tepërta për të dhenë një mesazh më tepër. Çdo vendim duhet të zbatohet, nuk ka një rrugë tjetër, nuk ka një mekanizëm tjetër dhe arsyeja pse nuk ka një mekanizëm tjetër është sepse është e pamundur të imagjinohet që të mos zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Institucionet të cilat janë të ngarkuara për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të sillen në mënyrë kushtetuese”- u shpreh ajo.

Rikujtojmë se pak ditë më parë kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i kërkoi kryeparlamentares Lindita Nikolla thirrjen e Konferencës së Kryetarëve për të futur në rend dite të seancës më të afërt urdhërin për dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të mocionit për interpretimin e mandatit.

Sipas tij, Kuvendi duke mos zbatuar këtë vendim po shkel të drejtën e pakicës parlamentare, parimet bazë të shtetit ligjor dhe besimin publik tek Gjykata Kushtetuese.

Por sipas Nikollës, kërkesa e Bardhit për të mbledhur Konferencën e Kryetarëve për të futur në rend dite këtë çështje nuk qëndron, pasi kërkesa e tij është objekt i organeve të tjera të Kuvendit dhe jo i Konferencës së Kryetarëve.